E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria e Apelit: Gjykata po na dëmton punën

Analiza Prokurori i Apelit, Shkëlqim Hajdari: Vonohet zbardhja dhe prishja e vendimeve

Prokuroria e Apelit në Tiranë akuzon gjykatën e së njëjtës shkallë për mungesë transparence si dhe mungesë totale të organizimit dhe funksionimit të punës. Prokurori Shkëlqim Hajdari gjatë analizës vjetore 2009 deklaroi se Gjykata e Apelit nuk i mbështet prokurorët, si dhe nuk u vë në dispozicion prokurorëve brenda afateve vendimet e trupës gjyqësore, çka vështirëson qëndrimin e prokurorisë gjatë rekursit në Gjykatën e Lartë. Sipas Hajdarit, vonesa e zbardhjes së vendimeve ka vështirësuar jashtë mase rekursin, duke sjellë në disa raste edhe mosrealizimin në kohë. Një gjë e tillë, sipas kryeprokurorit të Apelit në Tiranës, duhet të ndryshohet. Shpeshherë, Gjykata e Apelit në kryeqytet është vënë në shënjestër nga Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme dhe institucione të tjera. Krahas tyre është rreshtuar edhe prokuroria, e cila i konsideron vendimet e kësaj gjykate si skandaloze, pasi vetëm 11 për qind e apelimeve të bëra nga kjo prokurori janë pranuar. Shumë persona janë shpallur të pafajshëm në Gjykatën e Apelit, ndërsa prokuroria e ka të pamundur të riverifikojë dosjen, pasi është çështje e gjykuar. Ndër çështjet që gjykohen, Apeli ul masën e dënimit, duke prishur në këtë rast vendimin e Shkallës së Parë.

Problematika

Për të gjitha problemet e këtij lloji ka folur drejtuesi i Prokurorisë së Apelit në Tiranës, Shkëlqim Hajdari. Ai konstatoi dhjetëra shkelje nga gjykata, duke i vënë theksin vendimeve të prishura apo edhe zbardhjes së tyre, çka vështirëson punën e vetë prokurorisë. “Konstatoj se me gjithë këtë lloj përkujdesje ligjore dhe transparence në punën tonë, numri i apeleve është shumë i vogël”, deklaroi Hajdari, duke shtuar se vendimet e Gjykatës së Apelit, nëse nuk u bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë janë të formës së prerë dhe individi i akuzuar apo edhe vetë organi i prokurorisë nuk ka mundësi ta çojë çështjen në Gjykatën Supreme. “Mirëpo dihet që vendimet e Apelit, siç dihet janë të formës së prerë, pra nuk riparohen dot më pasi rekursi në Gjykatën e Lartë bëhet vetëm për shkelje të rëndë të ligjit procedural dhe material”, vazhdoi drejtuesi i Prokurorisë së Apelit, ndërsa iu referua edhe statistikave të vitit të kaluar. Ai tha se nga 290 apele të bëra nga prokuroria për çështje në themel, gjykata ka pranuar vetëm 34 dhe sipas kryeprokurorit të Apelit kjo tregon mungesë efikasiteti në gjykim. “Po kështu edhe kur pranohet kërkesa e palëve për përsëritje të shqyrtimit gjyqësor, konstatohet se edhe për këto raste, apelimet janë shumë të pakta”, vijoi Hajdari.

Statistikat

Ndërkohë, trupa e prokurorëve të Apelit kanë bërë edhe analizën vjetore. Sipas tyre, në vitin e kaluar janë hetuar 1202 çështje me 1410 persona të arrestuar. Në lidhje me masat e sigurimit, bëhet me dije se ato kanë qenë 417. Statistikat flasin se veprat me përhapje të gjerë mbeten ato kundër pronës, trafikimi i lëndës narkotike, falsifikimet. Prokuroria e Apelit thotë se gjatë vitit të kaluar kishte një rritje të çështjeve në fushën e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit, pasi shumë persona u hetuan dhe dënuan nga Shkalla e Parë, mirëpo Gjykata e Apelit u ndryshoi masën e sigurimit, si dhe masën e dënimit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›