Shembja e tavanit të shkollës, nxënësit ende në rrezik
Nxënësit e shkollës nëntëvjeçare “Naum Veqilharxhi” në Korçë vazhdojnë të bëjnë mësim me rrezikun mbi krye, edhe një ditë pasi një mësuese u plagos nga rënia e suvasë së tavanit. Nxënës të dhjetë klasave janë mbajtur deri më tani nën tavanet e çara nga ku bien vazhdimisht copa suvaje. Drejtoria e shkollës edhe pse ka qenë në dijeni në kushteve në katin e tretë, ku për shkak të cilësisë së dobët të punimeve tavanet janë harkuar dhe kanë pësuar çarje, nuk ka marrë asnjë masë për shpërnguljen e nxënësve. Një ditë pas shembjes së tavanit, në shkollën nëntëvjeçare “Naum Veqilharxhi”, nxënësit janë futur sërish në klasat e katit të tretë, me përjashtim të klasës ku ndodhi incidenti të enjten, që aktualisht gjendet me tavan të hapur. Edhe pse krejt kati ka rrezik për shkak të tavaneve të çara dhe të harkuara, duket se masat kanë munguar sërish, ashtu siç ka ndodhur gjatë gjithë kohës me mbajtjen e fëmijëve në ambiente që rrezikojnë të shemben. “Para një viti na ra tavani, por prapë kemi vazhduar mësimin në të njëjtin kat. Kemi frikë të futemi në katin e tretë, pasi aty tavanet janë të gjitha me çarje. Gjatë ditës së sotme e kemi bërë mësimin në katin e dytë, pasi klasa jonë nuk mund të përdoret”, tha dje një nga nxënësit e klasës së tetë që ka përjetuar ditën e enjte tmerrin e rrëzimit të tavanit gjatë orës së mësimit. Ndërkohë, mësuesja e letërsisë, Nadia Kondili, nuk është paraqitur dje në shkollë, për shkak të shembjes që pësoi nga rënia e suvasë së klasës. Mësuesja Kondili ka qëndruar në banesë pa u paraqitur në shkollë deri në përmirësimin e plotë të shëndetit. Ndërsa në klasën e dëmtuar është pezulluar kryerja e mësimit, dyert e shkollës kanë qenë të mbyllura për mediat dhe procesi mësimor ka vijuar normalisht. Drejtoria e Arsimit edhe pse është vënë në dijeni të kësaj ngjarjeje, e ka konsideruar atë si një rast të lehtë dhe aspak problematik. Drejtori i Arsimit në Korçë, Beni Belba, ka refuzuar të japë sqarime duke mbyllur çdo rrugë komunikimi me median dhe duke urdhëruar moslejimin e kamerave brenda shkollës. Vendimi për të mbyllur shkollën ndaj çdo personi ka ardhur fillimisht nga drejtoresha e shkollës, e cila ka edhe përgjegjësinë për mbajtjen e nxënësve në klasat e dëmtuara dhe me rrezik shembjeje. Drejtori i Arsimit, Beni Belba, tha se kjo ngjarje është e parëndësishme edhe pse pas rikonstruksionit të çatisë tre vjet më parë dhe deri më sot ka pasur shembje të vazhdueshme të suvasë dhe tavaneve në katin e tretë.
#