Gërdeci, sot në gjykatë me prokurorë të rinj
Nis sot procesi gjyqësor kundër 29 personave të akuzuar si shkaktarët e mundshëm të tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën. Në seancë do të paraqiten për herë të parë prokurorët e rinj, të caktuar nga Kryeprokurorja Ina Rama, pas delegimit të dosjes në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë. Grupi i prokurorëve do të drejtohet nga Altin Dumani, shefi i Task-Forcës kundër krimit ekonomik dhe ka në përbërje të tij dy zëvendësprokurorët e Tiranës, Genci Qano dhe Marjeta Zaimi, si dhe shefin e seksionit ushtarak Petrit Bici. Pritet që në këtë seancë, të pandehurit do t‘i drejtohen gjykatës me dhjetëra kërkesa. Megjithatë e rëndësishme për gjykatën është hapja e shqyrtimit gjyqësor, pasi dy tentativat e para kanë dështuar. Në seancën e kaluar, e mbajtur më 23 korrik, mungonin dhjetëra të pandehur, të cilët nuk kishin lëshuar as prokura përfaqësimi me avokatë. Procesi filloi me një falsitet të plotë, ku trupa gjyqësore, e përbërë nga gjyqtarët Ridvan Hado, Fatmira Hajdari dhe Shefkie Demiraj kanë lexuar emrat e çdo të pandehuri. Por në sallën e gjyqit ishin vetëm dy të pandehur, të cilët kishin preferuar të përfaqësoheshin personalisht. Nëse vazhdon me këto ritme gjykimi, tragjedia e Gërdecit mund të zgjasë disa vjet. Mungesa e avokatëve mund të shtyjë pambarimisht procesin. Të pandehurit e çështjes, të cilët janë të shumtë në numër, pas transferimit të çështjes në Gjykatën e Tiranës nga Gjykata e Lartë, nuk denjojnë të marrin pjesë në gjyq, duke e braktisur hapur atë. Në seancën e kaluar kishte dhjetëra probleme procedurale, nga mungesa e avokatëve e deri te lajmërimi i të pandehurve, i cili lë shumë për të dëshiruar. Barra e njoftimit të të akuzuarve bie mbi policinë, e cila në disa raste nuk ka gjetur as adresat e të pandehurve. Problemet vazhdonin me prokurat e avokatëve.