Tiranë, 868 gjoba brenda një dite për drejtuesit e mjeteve
Policia rrugore e kryeqytetit ka ashpërsuar edhe njëherë masat ndaj drejtuesve të mjeteve me qëllim parandalimin e aksidenteve. Sipas informacioneve zyrtare, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, në kuadër të masave të marra për uljen e aksidenteve rrugore dhe zbatimit të përgjegjësisë ligjore, për mbikëqyrjen dhe drejtimin e trafikut rrugor në rrugët për përdorim publik, ka hartuar dhe po ndjek një plan masash të veçantë në drejtim të rritjes së sigurisë rrugore dhe në përputhje me legjislacionin rrugor. Zbatimi i këtij plani ka filluar në datën 07.09.2009 dhe do të vazhdojë, duke ushtruar kontroll ndaj drejtuesve të mjeteve në respektimin e normave të Kodit Rrugor, në funksion të forcimit të masave për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve. Veçanërisht kontrollet po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve dhe parkimet e gabuara. Kështu, vetëm dje në Qarkun e Tiranës janë konstatuar dhe janë marrë 868 masa administrative. Sipas të dhënave, 548 gjoba janë vënë në rrugët e kryeqytetit me vlerë 620 mijë lekë, ndërsa 320 gjoba të tjera janë vënë në linja, me vlerë 319 mijë lekë. Gjithashtu, policia rrugore deklaroi se ka pezulluar edhe tetë leje drejtimi për automjete. Ndërkaq, një aksident rrugor me pasojë plagosjen e rëndë të një vajze 6-vjeçare është regjistruar dje në Tiranë. Lajmin e bënë të ditur burime pranë policisë rrugore, sipas të cilave 6-vjeçarja me iniciale J. S. u godit nga një automjet teksa kalonte rrugën. Për shkak të plagëve të rënda, ajo është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Nga ana tjetër, efektivët e policisë të mbërritur në vendngjarje, kanë ndaluar drejtuesin e automjetit tip "Mercedes Benz", me targë "TR 0155 J", që goditi të miturën. Drejtuesi i mjetit Dorian Nezifi është marrë në pyetje nga oficerët e policisë dhe deri në orët e mbrëmjes ka qenë i shoqëruar në pritje të masës ndaj tij.