E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes 54-vjeçarja, familjarët akuzojnë mjekët

Një grua rome 54-vjeçare ka gjetur vdekjen në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ndërkohë që familjarët bëjnë përgjegjës mjekun ku ajo ishte vizituar një ditë më parë. Ndërkohë priten përfundimet e ekspertëve mjekoligjorë që kanë kryer autopsinë për të mësuar shkaqet e vdekjes dhe vijimin e procedurave hetimore të mëtejshme. Mësohet se Mamude Myrteli, 54 vjeçe, banore e fshatit Moravë në rrethin e Beratit mbërriti e vdekur në spitalin e qytetit, ndërkohë që nga hetimet e para dyshohet për një vdekje natyrale. Burime të repartit të urgjencës pranë spitalit të Beratit bëjnë me dije se rreth orës 07:00 të mëngjesit të djeshëm, ka mbërritur pa jetë 54-vjeçarja Myrteli. Familjarët që e kanë shoqëruar kanë pohuar për bluzat e bardha të urgjencës, se ajo ishte ndier keq në banesën e saj ku dhe kishte humbur ndjenjat. Pasi ishte përmendur ajo ishte ankuar për dhimbje të forta koke. Gruaja është dërguar drejt spitalit të Beratit, por gjatë rrugës ajo ka ndërruar jetë. Trupi i 54-vjeçares, nënë e katër fëmijëve, është dërguar më pas për në morgun e spitalit ku dhe i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore. Ndërkohë, familjarët akuzojnë mjekët për mjekim të papërgjegjshëm. Sipas tyre, gruaja prej disa ditësh ankohej për dhimbje koke të forta dhe temperaturë të lartë. Të hënën në mëngjes kishin shkuar për vizitë në spital dhe mjeku neurolog i kishte plotësuar një recetë, ku i përshkruheshin hape për migrenë. Gruaja e kishte nisur mjekimin mbrëmjen e së hënës dhe në mëngjes është ndier keq. Për familjarët, mjeku duhet të kishte kërkuar ekzaminime më të hollësishme dhe të mos mjaftohej në përshkrimin e recetës. Nga hetimet e para mjekët kanë deklaruar se në trupin e gruas nuk janë vërejtur shenja dhune dhe asnjë anomali dhe dyshimet flasin për një vdekje të shkaktuar nga shkaqe natyrale. Rreth mesditës, dy mjekë ligjorë kanë mbërritur në morgun e spitalit ku dhe kanë marrë pjesë në autopsi. Nga trupi i gruas janë marrë kampione të cilat do të analizohen dhe do të përcaktojnë qartë shkakun e kësaj vdekjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›