E Diel, 1 Nëntor 2026

"Remzi Hoxha", dëshmitari tregon SHIK-asit

Një punëtor i firmës "Albatros", e cila ka qenë në pronësi të Remzi Hoxhës deri në tetor të vitit 2005, ka dëshmuar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku ka treguar se punonjës të SHIK-ut morën shefin e tij në një automjet për të mos ta kthyer më kurrë. Astrit Sula, tashmë 71 vjeç, ish-ekonomist në atë firmë, ka pranuar "ftesën" e prokurorisë për t‘u paraqitur në gjykatë, megjithëse në moshë të thyer. Dëshmitari ka qëndruar para prokurorit dhe gjykatës rreth një orë, duke iu përgjigjur me aq sa mbante mend pyetjeve të shumta të tyre. Sula ka rrëfyer se në momentin kur është rrëmbyer Remziu nuk ka qenë në punishte, por ka mbërritur disa minuta më vonë. Nëpërmjet shokëve kishte mësuar se disa persona kishin marrë Remziun, ndërkohë ka treguar para palëve në proces personat, punonjës të SHIK-ut që kishin kontrolluar makinën dhe ambientet e firmës pas rrëmbimit.

Dëshmia
Seanca gjyqësore për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha në vitin 1995 në Tiranë vijoi dje me pyetjen e një tjetër dëshmitari të thirrur nga Prokuroria në Gjykatën e Krimeve te Rënda. Astrit Sula, ish-ekonomisti i firmës së duraluminit të Remzi Hoxhës, foli kryesisht për momentet e rrëmbimit të biznesmenit Hoxha nga mjediset e firmës në Tiranë në vitin 1995. Gjatë rrëfimit për togat e zeza, dëshmitari tregoi edhe karakteristikat fizike të një personi që kishte bërë një kontroll në makinën e Hoxhës, pas largimit të tij nga firma, por, siç deklaroi ai, nuk e kishte njohur atë. 71-vjeçari Astrit Sula ka folur para gjykatës për rreth 60 minuta, për kohën kur ai ishte i punësuar si ekonomist, megjithëse më së shumti ai nuk mbante mend mjaft të dhëna për atë kohë. I moshuari i tha gjykatës se nuk kishte qenë i pranishëm në kohën kur biznesmeni Remzi Hoxha u rrëmbye, por ai shtoi se për këtë ngjarje i kishin treguar persona të tjerë. I pyetur nga gjykata, dëshmitari deklaroi se kishte qenë i pranishëm kur dy persona kishin kontrolluar ambientet. Ai përshkroi fizikun e tyre, por nuk dha emra. Sipas tij, ishin dy persona të moshës 35-40 vjeç që gërmonin në zyrën e Remziut. I frikësuar nga pamja, nuk kishte guxuar t‘i pyeste, ndërsa tregoi se personat qëndruan shumw kohw dhe morën disa shkresa. Ikën shumë të shqetësuar. Dëshmitari tha se nuk kishte dijeni se cilët ishin personat, pasi shokët e tij i kishin thënë se Remziun e mori policia. 71-vjeçari tha se kishte mësuar se personat që rrëmbyen Remziun ishin civilë që lëviznin me disa automjete me targa civile.

Gjyqi
Gjyqi në ngarkim të Arben Sefgjinit, Ilir Kumbaros dhe Avni Koldashit prej muajsh po vazhdon me pyetjen e dëshmitarëve, megjithëse ata që konsideroheshin të rëndësishëm për procesin kanë folur para togave te zeza. Prokuroria e Krimeve të Rënda akuzon ish-SHIK-asit e mësipërm për rrëmbimin dhe zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha në vitin 1995 në Tiranë. Një seancë më parë, avokatët e të pandehurit Ilir Kumbaro, i arrestuar në Angli për llogari të palës shqiptare, kërkuan lirimin e klientit të tyre nga burgu. Ata këmbëngulën se kjo dosje është pushuar në vitin 2004 dhe me pezullimin e dosjes automatikisht pushohet edhe masa e sigurisë. Për këtë arsye kërkuan prishjen e masës së sigurisë. Prokurori i çështjes, Xhevat Hana, i tha gjykatës se masa e sigurisë ndaj Kumbaros nuk është ekzekutuar asnjëherë, duke e krahasuar me të pandehurit e tjerë, të cilët kanë qëndruar edhe një vit në burg dhe më pas janë liruar pas pushimit të çështjes. Gjatë seancës së kaluar dëshmuan dy persona. Dëshmitari i parë ishte Zyber Shehu, i cili kishte punuar në Shërbimin Informativ Shtetëror në vitet 1993-1996 në qytetin e Lushnjës, me detyrë nënoficer. Dëshmitari i dytë ishte Maliq Xheka me detyrë inspektor vëzhgimi në Drejtorinë e Tiranës gjatë viteve 1992-1997. Dy ish-SHIK-asve u kishte "humbur" kujtesa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›