Pastrimi i Parave, Doçi: Vetëm 1 nga 64 çështje shkoi në gjyq
Tiranë- Kreu i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, Arben Doçi është shprehur dje në Komisionin e Ligjeve, se pjesa dërrmuese e çështjeve që ata i referojnë prokurorisë pezullohen ose mbyllen, dhe një pjesë shumë e vogël e tyre shkon në gjykatë. Doçi e ka bërë këtë deklaratë në momentin kur po prezantonte draftin e ri për funksionimin e kësaj drejtorie, ndërsa është shprehur se kësaj drejtorie duhej t’i jepeshin dhe kompetenca të policisë gjyqësore për rritjen e efikasitetit. “Fillimi i çështjeve penale dhe dërgimi i çështjeve në gjyq është shumë i ulët. Ne kemi çuar vitin e kaluar 64 çështje, nga ato vetëm një ka shkuar në gjyq dhe 15 prej tyre janë pushuar. Ky është problemi” - tha Doçi. Sipas tij, nevoja e ndryshimit të ligjit “Për parandalimin e pastrimit të parave” lindi si një nevojë pas rishikimit nga KE-ja të vlerësimit për të gjitha vendet. Nga vlerësimi që i është bërë vendeve, Shqipëria ka qenë në tre vendet e fundit për mospërputhje të legjislacionit, për “parandalimin dhe pastrimin e parave”. “Një nga rekomandimet bazë ka qenë kërkesa për të marrë atributet e policisë gjyqësore, gjë që u kundërshtua nga prokuroria dhe nga një sërë institucionesh ndërkombëtare, pas së cilave u hoq nga drafti përfundimtar. “Po ashtu, kemi krijuar edhe krijimin e regjistrit të llogarive, por edhe kjo me ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë nuk u pa i arsyeshëm nga grupi i punës dhe zv. ministri i Financave. Në draft kanë ngelur vetëm rekomandimet kryesore të kërkuara nga komiteti i KE-së. Kjo është një pamje e përgjithshme e punës me këtë projektligj”, - ka thënë dje Doçi. Më tej, kreu i institucionit, që mbikëqyr dhe lufton krimin e sofistikuar financiar dhe bankar, është shprehur se ndonëse prokuroria është e vetëdijshme se nuk ka kapacitetet dhe aftësinë për të ndjekur siç duhet rastet e sofistikuara të krimit financiar, nuk ka dhënë pëlqimin për t’i dhënë ekspertëve të kësaj drejtorie disa kompetenca të policisë gjyqësore, në luftën kundër këtij krimi. “Kërkesa për marrjen e kompetencave edhe si polici gjyqësore, lidhet vetëm me efikasitetin e punës së Agjencisë për Parandalimin e Pastrimit të Parave, por edhe të sistemit në përgjithësi. Është vënë re tre vitet e fundit, që njësia ka referuar në organet ligjzbatuese dhe në prokurori, njësitë e përbashkëta shumë raste. Në prokurori janë rreth 150 raste në tre vitet e fundit. Fillimi i çështjes penale ecën me këtë ritëm, por më vonë, rreth 60 për qind e çështjeve pushohen dhe gjithnjë na jepen si shkaqe padijenia e prokurorëve ose mospasja nga ana e tyre e dijenive të natyrës financiare”, - është shprehur Doçi.