E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rriten taksat e importit të makinave të vjetra

Propozimi i qeverisë vendos taksë shtesë për makinat e shitura brenda vendit

Dy vjet më parë, Komisioni Europian i deklaroi qeverisë shqiptare se e ashtuquajtura “taksë e ndotjes” për makinat e vjetra që importoheshin në Shqipëri, binte ndesh me parimet e Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Anëtarësimit. Qeveria iu përgjigj këtij shqetësimi duke ndryshuar metodologjinë e vjeljes së kësaj takse, por pa i ndryshuar thelbin. Taksa që përbën mbi 70 për qind të detyrimeve që shqiptarët paguajnë në dogana kur importojnë një makinë, mbetet në fuqi. Për më tepër, makinat mbi shtatë vjet do të taksohen sipas ligjit të ri, edhe më shumë se më parë, por makinat jo më të vjetra se gjashtë vjet, përfitojnë ulje kur importohen për herë të parë, por do të paguajnë taksa shtesë në rast se shiten brenda vendit pas disa vitesh.

Ndryshimet

Nga llogaritjet për taksën e ndotjes të kryera nga “Shqip” rezulton se për makinat me moshë mbi 7 vjet, do të paguhet 22 mijë lekë më shumë taksa. Por skema e re ligjore sjell edhe taksimin më të lartë të makinave të vjetra që shiten brenda vendit. Kështu, nëse një makinë shtatëvjeçare me motor 1.9 naftë, importohet sot dhe paguan në çastin e importit taksë ndotjeje në masën 173 mijë lekë, kur të rishitet pas tre vjetësh në tregun e brendshëm do të paguajë një taksë ekstra prej 74 mijë lekësh. E njëjta gjë ndodh në rast se e njëjta makinë është importuar para tre vjetësh, ka moshë shtatëvjeçare dhe shitet brenda vendit. Në këtë rast, paguhet një taksë shtesë prej afërsisht 50 mijë lekësh. Thelbi i ndryshimit ligjor është që taksa e ndotjes të mos paguhet më vetëm nga makinat e importuara, por edhe nga makinat e tregtuara brenda vendit. Zgjidhja e zakonshme për të shmangur këtë taksë ekstra është shitja e makinave përmes akteve të përdorimit.

Qeveria do të dalë me të ardhura shtesë nga taksa e re, por ekspertët e Ministrisë së Financave nuk kanë dhënë një parashikim se sa do të jenë fitimet e shtetit, për shkak se nuk janë në gjendje të parashikojnë numrin e makinave të tregtuara brenda vendit.

BE, sërish e pakënaqur

Taksa e re u gjet edhe si zgjidhje për të kënaqur Komisionin Europian, por KE sërish ka mbetur e pakënaqur, pasi taksa mbetet gjithsesi jashtë standardeve të Bashkimit Europian. Gjatë konsultimeve, Komisioni i ka thënë palës shqiptare se propozimi i ri nuk përbën shkelje të Marrëveshjes së Stabilizim-Anëtarësimit për shkak se nuk ka më diskriminim mes tregtisë së makinave që kryhet brenda vendit dhe tregtisë me mjetet e importuara. Por sipas komisionit, “për sa kohë Shqipëria nuk është vend anëtar, ky draftligj është në rregull derisa të shkoni afër anëtarësimit”. Kjo do të thotë se shqiptarët do të duhet të presin anëtarësimin e vendit në BE për të shpëtuar nga taksa e ndotjes, e cila u vendos për herë të parë në vitin 2004. Qeveria shqiptare ka arkëtuar 2.9 miliardë lekë (rreth 29 milionë dollarë) nga taksa e ndotjes për makinat e importuara.

Bllokim i tregtisë së brendshme

Projektligji pritet të sjellë telashe të mëdha për shqiptarët që kanë një makinë të vjetër dhe që synojnë ta shesin për të blerë një më të re. Kjo për faktin se në këtë rast, ato do të duhet të paguajnë taksë ekstra për ndotjen, e cila në rastet e makinave mbi dhjetë vjet të vjetra, mund të arrijë në 25-30 për qind të vlerës së përfituar nga shitja. Për pasojë, tregu i makinave të përdorura pritet të kufizohet ndjeshëm. Në Shqipëri qarkullojnë aktualisht rreth 220 mijë makina, gjë që do të thotë se më pak se një e pesta e familjeve shqiptare zotërojnë një të tillë.

Formulat

Formula aktuale e përcaktimit të taksës së ndotjes shumëzon cilindratën e motorit me një 20 mijë për makinat me benzinë dhe 25 mijë për ato me naftë dhe totalin e shumëzon me një koeficient sipas vjetërsisë. Për makinat mbi 10 vjet, koeficienti është 0.0048. Pra nëse bëhet fjalë për një makinë me naftë me motor 1.9, taksa e ndotjes është 1893*25000*0.0048, pra afërsisht 227 mijë lekë të reja. Kur një makinë e tillë importohet, shqiptarët përveç taksës së ndotjes, paguajnë edhe TVSH mbi vlerën e makinës së importuar plus taksën e ndotjes.

Kjo qe formula e vjetër. Formula e re nuk ndryshon shumë. Shumëzohen cilindrat 1893 me 25 lekë dhe me koeficientin e vjetërsisë që është 0.5 për çdo vit vjetërsi. Pra nëse makina është dhjetë vjet, taksa e ndotjes do të jetë: 1893*5*25, në total afërsisht 248 mijë lekë. Siç shihet, formula e re sjell 21 mijë lekë taksë më të lartë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›