“Gërdeci”, tri arrestet për vrasje në Gjykatën e Faktit
Refuzimi i Gjykatës së Lartë për të caktuar një masë sigurimi për tre personat e arrestuar me akuzat për tragjedinë e Gërdecit, ka detyruar Prokurorinë e Përgjithshme t’i drejtohet Gjykatës së Faktit në Tiranë. Organi qendror i akuzës mësohet se ka bërë kërkesë në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet, për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve për ish-drejtorin e ndërmarrjes shtetërore “MEICO”, Ylli Pinari, biznesmenin që ngriti fabrikën e çmontimit në Gërdec Mihal Delijorgji dhe drejtorin e kësaj fabrike Dritan Minxolli. Ata mbahen të arrestuar në paraburgimin 313 në Tiranë prej mbrëmjes së 18 marsit 2008 kur ranë në pranga me urdhër të Prokurorisë, e cila i akuzoi për shkaktimin e tragjedisë së Gërdecit. Mundësia e lirimit nga paraburgimi për tre të pandehurit në rast vonesash pas refuzimit nga Gjykata e Lartë si dhe qëllimi për t’i mbajtur në qeli në mënyrë të ligjshme tre të dyshuarit, kanë qenë shkaku pse menjëherë pas qëndrimit të mbajtur nga Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme kërkoi rishtazi në Gjykatën e rrethit Tiranë, caktimin e masës së sigurisë për Pinarin, Minxollin dhe Delijorgjin. Kërkesa për caktimin e masës së sigurisë ndaj tre personave të arrestuar pas tragjedisë së Gërdecit është bërë nga Prokuroria e Përgjithshme, pas ndryshimit të akuzave që janë ngritur ndaj të dyshuarve. Ylli Pinari, Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxolli akuzohen sipas nenit 79 të Kodit të Procedurës Penale se kanë kryer “vrasje në rrethana të cilësuara ndaj më shumë se dy personave”, ndërsa veç kësaj akuze, ish-drejtorit të ndërmarrjes “MEICO” i është adresuar edhe vepra penale “shpërdorim detyre”. Menjëherë pas arrestimit deri pak kohë më parë, Prokuroria i akuzoi tre të dyshuarit për “shkelje të rregullave të sigurisë mbi lëndët plasëse dhe radioaktive”. Kjo akuzë u ngrit në momentin e parë për shkak se hetimet nuk kishin avancuar ende ndërsa pas zbulimit të provave të tjera, organi i akuzës rëndoi pozitën penale të tre të arrestuarve. Në bazë të nenit ku referohen akuzat e ngritura ndaj tyre, nëse shpallen fajtorë, dënimi ndaj tyre parashikohet të jetë 25 vjet deri në burgim të përjetshëm. Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se e ka depozituar kërkesën e saj në Gjykatën e Lartë për shkak se në dosjen “Gërdeci” person në hetim është edhe ish-ministri Fatmir Mediu, i cili sipas Procedurës Penale duhet të gjykohet në Gjykatën e Lartë në rast se merret i pandehur. Për shkak se ai hetohet bashkë me tre persona pa imunitet, organi i akuzës bëri kërkesë në Gjykatën e Lartë për masën e sigurisë por kjo e fundit shpalli moskompetencën. tr.so
Thirren gjeneralët e shkarkuar
TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme pret të marrë në pyetje katër gjeneralët e Shtabit të Përgjithshëm, të cilët u shkarkuan nga detyra pas tragjedisë së Gërdecit. Dëshmitarët e thirrur në Prokurori kanë pohuar se, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, është takuar me Mihal Delijorgjin në kohën kur ka shkuar të inspektonte fabrikën e çmontimit në Gërdec, vetëm pesë ditë para se aty të niste puna. Dëshmitarët kanë folur edhe për takime të dy gjeneralëve të tjerë me Mihal Delijorgjin. Për këtë shkak gjeneralët e ushtrisë shqiptare pritet të ripyeten sërish në Prokurorinë e Përgjithshme për të dhënë sqarime rreth pozicionit të tyre në tragjedinë, që shkaktoi vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e 300 të tjerëve.