E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet grabitësi i makinës së shefit të Pasaportave

 

TIRANE – Gjendet makina e vjedhur e shefit të zyrës së Pasaportave të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Uniformat blu kanë arrestuar edhe personin që përdorte automjetin e vjedhur. T. Karaj, 16 vjeç banues, në fshatin Baldushk të Tiranës, është ndaluar nga agjentët e zyrës së Hetimit të Vjedhjeve të Automjeteve. I riu është kapur në bulevardin “Zhan d’Ark”, pranë Gjykatës së Apelit, sapo ka zbritur nga një automjet i markës “Volskwagen Polo” me ngjyrë të kuqe. Më parë, ai kishte lëvizur  pranë rrugës “Ali Demi” dhe më pas ka ndërruar krahun e rrugës dhe ka dalë në unazë, duke përfunduar në zonën ku ra në prangat e policisë. Veprimet e tij, janë ndjekur nga një agjent i policisë së kryeqytetit, të cilit i ka bërë përshtypje fakti se personat që udhëtonin me mjetin kishin bërë lëvizje kaotike. Më pas drejtuesi i mjetit ka ndaluar pranë Gjykatës së Apelit pasi ka kryer një copë rrugë, ai është kthyer sërish tek mjeti ku edhe është ndaluar nga një efektivi i komisariatit të policisë nr.1 në kryeqytet. Mësohet se 16-vjeçari është munduar të largohet nga vendi i ngjarjes pasi ka zbuluar që kishte përballë një polic. Ky i fundit ka ndaluar adoleshentin ndërsa menjëherë aty kanë mbërritur dy automjete të policisë së Tiranës, të cilat kanë marrë adoleshentin, duke e shoqëruar atë në ambientet e komisariatit nr.2, ku ndodhet seksioni i hetimit të vjedhjes së automjeteve. Makina e përdorur nga i arrestuari është bllokuar nga policia si provë materiale, ndërsa kanë filluar verifikimet rreth saj. Në pak minuta policia ka mësuar se mjeti i vjedhur i përkiste një prej kolegëve të tyre, pikërisht shefit të zyrës së Pasaportave në policinë e Tiranës. Makina e tij ishte vjedhur tre muaj më parë pranë banesës së tij gjatë orëve të mbrëmjes. Gjatë pyetjes së adoleshentit ka pohuar se nuk e dinte që mjeti ishte i vjedhur dhe se ia kishte blerë mjetin, Erind Kodrës, 22 vjeç, banues në Tiranë. Pretendimi i personit të arrestuar është parë me dyshime nga policia pasi sipas hetuesve i dyshuari ishte kapur në flagrancë, duke përdorur automjetin e vjedhur. Ndërkaq pas identifikimit të personit të dyshuar për ngjarjen, policia ka kryer një kontroll në banesën e 22-vjeçarit, Kodra. Ky i fundit nuk ndodhej në banesë dhe sipas policisë, ai dyshohet se ishte fshehur pasi ka mësuar zbulimin e vjedhjes. Blutë kanë bërë shpalljen e tij në kërkim, ndërsa dyshohet se Kodra mund të jetë përfshirë në ngjarje të tjera të kësaj natyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›