Gërdeci, u komunikohet akuza 13 personave
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme ka komunikuar dje akuzën edhe për 13 ish-funksionarë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes të lidhur me hetimet për tragjedinë e rëndë të Gërdecit. Shkon kështu në 24 numri i personave që u është komunikuar akuza për tragjedinë e 15 marsit, në krye të të cilëve është ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme deklaruan për mediat se 13 ish-funksionarët e lartë janë thirrur dje në organin qendror të akuzës ku secilit prej tyre i është komunikuar akuza përkatëse. Kështu, Prokuroria ka dhënë akuzën për falsifikim dokumentesh për drejtorin e Uzinës Mekanike të Gramshit Fiqiret Mato dhe për drejtorin e Kombinatit Mekanik në Poliçan, Lavdi Shato.
Akuza për shpërdorim detyre u është komunikuar tre ish-anëtarëve të komisionit të çmimit të fishekëve: Rezart Teshana, Besim Dauti dhe Agim Babameto. Për shpërdorim detyre janë akuzuar edhe katër anëtarët e Komisionit të Kategorizimit të Municioneve të Lehta: Gëzim Oshafi, Denis Hajdari, Jorgo Mino dhe Fatbardh Kuçi. E njëjta akuzë është komunikuar edhe për katër anëtarë të Komisionit të Kategorizimit të Municioneve të Rënda: Zenun Cero, Hysni Cocka, Hilmi Lacaj dhe Fahri Toska. Pak ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme komunikoi akuzën e shpërdorimit të detyrës edhe për ish-ministrin Fatmir Mediu si dhe për ish-drejtues të lartë të Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes, mes të cilëve për ish-shefin e Shtabit Luan Hoxha, për ish-komandantin e Forcës së Bashkuar Shpëtim Spahiu si dhe për ish-zyrtarë të tjerë të lartë.
Tragjedia e rëndë e Gërdecit, në 15 marsin e një viti më parë, shkaktoi vdekjen e 26 personave, plagosjen e mbi 300 të tjerëve dhe shkatërrimin e dhjetëra bizneseve dhe shtëpive. Prokuroria është në përfundim të hetimeve për ngjarjen e rëndë ku tashmë janë të akuzuar zyrtarë të lartë.
Lista me emrat e të pandehurve
Rezart Tërshana, anëtar i Komisionit të Çmimeve për Fishekët
Besnik Dauti, anëtar i Komisionit të Çmimeve për Fishekët
Agim Babameto, anëtar i Komisionit të Çmimeve për Fishekët
Gëzim Oshafi, anëtar i Komisionit të Çmimeve të Municioneve të Rënda
Denis Hajdari, anëtar i Komisionit të Çmimeve të Municioneve të Rënda
Jorgo Mino, anëtar i Komisionit të Çmimeve të Municioneve të Rënda
Fatbardh Kuçi, anëtar i Komisionit të Çmimeve të Municioneve të Rënda
Zenun Fero, anëtar i Komisionit të Kategorizimit të Municioneve
Hysni Cocka, anëtar i Komisionit të Kategorizimit të Municioneve
Hilmi Laçaj, anëtar i Komisionit të Kategorizimit të Municioneve
Fari Toska, anëtar i Komisionit të Kategorizimit të Municioneve
Fiqiret Mato, drejtor i Uzinës Mekanike Gramsh
Lavdi Shatro, drejtor i Kombinatit Mekanik Poliçan
Luan Hoxha, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm
Agim Lala, ish-zëvendësshef i Shtabit
Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes
Ardian Mullai, sekretar i Përgjithshëm
Shkëlzen Madani, ish-drejtor Ekonomik i Burimeve dhe Menaxhimit
Shpëtim Spahiu, ish-komandant i Forcës së Bashkuar
Zija Baja, ish-komandant i Forcës Mbështetëse
Dashnor Çaushi, drejtor i Logjistikës së Shtabit
Adriatik Mema, sekretar i Përgjithshëm
Armand Tartari, drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit të Buxhetit
Ndue Marku, drejtor i Drejtorisë Juridike
Mihal Delijorgji, ish-administrator i kompanisë “Albademil”
Dritan Minxolli, ish-drejtor teknik i punimeve
Ylli Pinari, ish-dejtor i MEICO-s
19 Shkurt 2009