Itali, Veltroni jep dorëheqjen. Në krye të PD-së, një lider i përkohshëm
Valter Veltroni dha dje dorëheqjen nga Partia Demokratike (PD) që drejtonte prej 16 muajsh. Kjo dorëheqje erdhi si pasojë e humbjes të kandidatit për presidencën e Regione Sardegna Renato Soru, e cila në nëntorin e vitit të kaluar kishte krijuar jo pak probleme në partinë që ai drejtonte. Afrimi i Veltronit me politikën ndodhi në vitin 1976 kur në moshën 21-vjeçare u zgjodh këshilltar komunal i Romës, duke qëndruar në këtë pozicion deri në vitin 1981. Më 1987-n ai u bë deputet. Nga maji i vitit 2007, Veltroni u bë pjesë e Komitetit Ndërkombëtar të PD-së dhe arriti të bashkonte liderët e kaheve të ndryshme të partisë. PD lindi zyrtarisht më 14 nëntor të po atij viti dhe Veltroni u zgjodh sekretar me 75 për qind të votave. Në prill të vitit të kaluar, ai kandidoi për postin e kryeministrit të Italisë, post të cilin e fitoi Silvio Berluskoni i partisë PDL. Kjo dorëheqje e Veltronit e la partinë në kaos të plotë. Ish-lideri i partisë mbajti një konferencë për shtyp për të shpjeguar motivet që çuan në këtë vendim. Të shtunën pritet të mblidhet Asambleja e Përgjithshme dhe pritet që të zgjidhet një lider i përkohshëm.
Sipas hipotezave të para, partia do t’i besohet sekretarit të ri të Partisë Demokratike, Dario Françeskini. Sipas anëtarëve të partisë, duhet gjetur një zgjidhje e shpejtë pasi pasojat mund të jenë të rënda nëse nuk veprohet.
19 Shkurt 2009