E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taullai, revoltë për ushqimin në burg

Revolta e dy ditëve më parë në qelitë e burgut 313, në rrugën "Jordan Misja" në kryeqytet, ka ardhur si shkak i mos lejimit të futjes së ushqimeve nga familjarët, ndërsa protesta e të burgosurve duket se ka vijuar edhe dje. Burime të sigurta informacioni thanë se pas ngjarjeve të dy ditëve më parë, ku protagonist ka qenë i akuzuari si anëtar i bandës së Durrësit, Indrit Taullai, në shenjë proteste për sjelljen e drejtorit dhe punonjësve të tjerë të burgut, edhe dje, rreth orës 12:00 të burgosurit kanë refuzuar ushqimin.

Gjithçka duket se ka nisur të premten rreth mesditës, kur punonjësit e shërbimit në Institutin e Riedukimit 313 kanë refuzuar të lejojnë futjen e ushqimeve nga familjarët e Indrit Taullait. Këta të fundit u janë drejtuar dyerve të burgut me shpresën së do të mund t‘i dërgonin Taullait ushqim më cilësor se ai i ofruar nga instituti i vuajtjes së dënimit, të cilin ata e kishin sjellë nga një lokal nga Durrësi. Një gjë të tillë familjarët e kanë bërë edhe më parë dhe nuk kanë pasur pengesa. Por të premten, punonjësit e shërbimit nuk e kanë pranuar ushqimin e sjellë nga familjarët, duke u thënë se urdhri ishte dhënë nga drejtuesit e burgut. Lidhur me këtë bllokim, të afërm të Indrit Taullait kanë thënë se ai ka akuzuar drejtpërdrejt drejtorin e burgut, për moslejimin e ushqimeve. Durrsaku mësohet të jetë shprehur me indinjatë se drejtori i ka kërkuar para në formë ryshfeti për t‘i lejuar ushqimet e familjes.

Moslejimi i ushqimit ka shkaktuar reagimin e Taullait, por edhe shokëve të tij të qelisë. Ata kanë filluar të godasin me grushte e shkelma derën e jashtme, duke protestuar ndaj drejtorit të burgut dhe duke shkaktuar zhurmë. Punonjësit e shërbimit të burgut kanë ndërhyrë, duke i nxjerrë ata nga dhoma e tyre dhe duke i shpërndarë. Taullai është futur në izolim, një prej shokëve të tij të qelisë është transferuar në një burg tjetër, ndërsa të tjerët janë zbritur një kat më poshtë në qeli të tjera. Por, edhe kjo rishpërndarje e re e të burgosurve nuk duket se ka dhënë rezultat, pasi ata kanë vazhduar të shprehin pakënaqësinë dhe revoltën e tyre. Të burgosurit që u zbritën një kat më poshtë kanë reaguar, duke u vënë flakën dyshekëve dhe batanijeve që kishin dhe duke krijuar kështu një situatë kaosi për disa minuta. Për qetësimin e situatës është dashur ndërhyrja e grupit të gatshëm të policisë së burgjeve, i cili pasi ka shuar zjarrin ka izoluar protagonistët e ngjarjes.

Ngjarja, e cila është bërë publike nga të afërm të Indrit Taullait, nuk është konfirmuar apo përgënjeshtruar ende nga Drejtoria e Burgut 313, apo Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Zyrtarë të kësaj të fundit të kontaktuar nga "Shqip", thanë se detyrimin për sqarimin e ngjarjeve në institutet e riedukimit e kanë drejtuesit e këtyre institucioneve.

reagimi

Familjarët e Indrit Dokles:

Djali ynë ndodhet te burgu 302

Familjarët e Indrit Dokles, një tjetër të pandehuri në procesin ndaj së konsideruarës si banda e Durrësit, kanë reaguar dje pas artikujve të botuar në media, ku emri i djalit të tyre përmendej si shkaku i revoltës së të burgosurve në burgun 313, pas transferimit të tij në një institucion tjetër të vuajtjes së dënimit. Ata kanë thënë se lajmi nuk ishte i saktë, pasi djali i tyre ndodhet që prej arrestimit të tij në burgun 302 në Tiranë dhe nuk kishte lidhje me çfarë kishte ngjarë në burgun tjetër. Pas interesimit të gazetës rezultoi se pasaktësia e lajmit kishte ardhur si rrjedhim i emrit të njëjtë të Dokles dhe Taullait, si dhe faktit që të dy bashkë janë të pandehur në të njëjtin proces gjyqësor në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Revolta në burgun 313 duket se ka pasur si protagonist Indrit Taullain, për shkak të moslejimit të futjes së ushqimeve të familjarëve të tij në burg.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›