Ekspertët amerikanë në kraterin e Gërdecit
Gjashtë ekspertët e ATF-së (Byroja e Alkoolit, Duhanit, Armëve dhe Eksplozivit) kanë filluar dje punën në Gërdec, për të gjetur shkakun e shpërthimit. Të veshur me mjete kundër eksplozivit, ata i janë bashkuar ushtarakëve shqiptarë për të përcaktuar edhe zonat me rrezikshmëri të lartë. Mësohet se ekspertët kanë mbledhur disa prova që mund të hedhin dritë mbi mënyrën e shpërthimit që i mori jetën 24 personave. Agjentët e ATF-së hetojnë zjarret e mëdha dhe shpërthimet në vendngjarje për të zbuluar shkaqet dhe mbledhin prova në krateret apo vatrat e flakëve. Ekipet e ATF-së u futën në rrënojat e Pentagonit më 11 shtator 2001. Në bazë të punës së tyre, agjentët dëshmojnë pranë organeve të drejtësisë. Ata mund të identifikojnë dhe shkatërrojnë eksplozivë. Ekipi Kombëtar i Reagimit (NRT) do t‘i sigurojë ndihmë në hetime, ekspertiza mjekoligjore në kraterin e shpërthimit trupës prej 16 hetuesve të Prokurorisë së Përgjithshme. Ata kanë në përbërje hetues, teknikë, inxhinierë dhe ekspertë bombash.