E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gërdeci", zgjidhen gjyqtarët e rinj të çështjes

Shorti elektronik në Gjykatën e Tiranës ka përzgjedhur gjyqtarin Ridvan Hado kryetarin e trupit gjykues të "Gërdecit". "Asistentë" të tij do të jenë gjyqtarët Shefkie Demiraj dhe Fehmi Petku. Dje paradite, në ambientet e Gjykatës Penale të kryeqytetit është hedhur shorti për trupën gjykuese, e cila do të gjykojë 29 të pandehurit pa imunitet që akuzohen nga prokuroria për ngjarjen e rëndë të 15 marsit 2008 në periferi të Tiranës, ku humbën jetën 26 persona dhe 300 të tjerë u plagosën. Shorti i djeshëm erdhi si pasojë e dorëheqjes së Kreshnik Omarit nga gjykimi i Gërdecit, pasi bashkëshortja e tij punonte në studion ligjore që mbron interesat e të pandehurit Ilmi Liçaj. Dorëheqja u pranua pa hezitim nga kryetari i Gjykatës së Tiranës, i cili organizoi shortin e djeshëm, ku u përzgjodh si kryetar Ridvan Hado.

Tri shortet
Gjithsesi, togat e zeza që u përzgjodhën dje në Gjykatën e Tiranës për gjykimin e Gërdecit nuk janë përfundimtarët. Pritet që një nga anëtarët e treshes gjykuese të japë dorëheqjen, pasi pak ditë më parë ai është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Gjyqtari Fehmi Petku është zgjedhur në mbledhjen e fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë si anëtar i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, kështu që automatikisht emri i tij rrëzohet nga gjykimi i tragjedisë së Gërdecit. Administrata e Gjykatës së Tiranës do të organizojë një short të ri, kësaj here vetëm për një anëtar të trupit gjykues, pasi përfundimisht dy të zgjedhurit e parë të Gërdecit janë Ridvan Hado dhe Shefkie Demiraj. Gjatë ditëve të fundit, në Gjykatën e Tiranës ka organizuar dy shorte elektronike për të njëjtën çështje. Fillimisht gjyqtarët e përzgjedhur ishin Kreshnik Omari, Sokol Tona dhe Martin Deda. Por, kryetari i trupës gjykuese, Omari, dha dorëheqjen për konflikt interesi. Gjithashtu gjykata organizoi dje shortin e dytë elektronik, ku u përzgjodhën Hado dhe Demiraj, ndërsa gjyqtari Fehmi Petku pritet të transferohet në një detyrë tjetër. Vendin e tij do ta zërë një gjyqtar penalist në Gjykatën e Tiranës, i cili gjithashtu do të përzgjidhet me short elektronik.

Dosja "Gërdeci"
Në Gjykatën Penale të Tiranës do të gjykohen 29 të pandehur, pas ndarjes së çështjes nga Gjykata e Lartë, e cila do të gjykojë vetëm deputetin Fatmir Mediu. Megjithëse dosja "Gërdeci" ka disa muaj që është nisur në drejtim të gjykatës, ende nuk ka filluar shqyrtimi. Problemet procedurale dhe administrative kanë penguar zhvillimin normal të gjyqit, i shumëpritur nga familjarët e viktimave. Këtyre të fundit do t‘u duhet të ndjekin nga afër proceset në tri gjykata të ndryshme. Përkatësisht në Gjykatën e Lartë, e cila ndodhet në rrugën "Myslym Shyri", ku do të gjykohet Fatmir Mediu. Procesi i dytë është në Gjykatën Penale të Tiranës, e cila është afër Burgut 313 në Tiranës, ku do të gjykohen 29 të pandehur. Procesi i tretë ndodhet në Gjykatën Civile të Tiranës, në bulevardin "Gjergj Fishta", ku do të zhvillohen proceset civile për dëmshpërblimin e dëmeve nga ngjarja e 15 marsit 2008.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›