E Diel, 1 Nëntor 2026

"Cikloni", trafiku i pistoletave, dënohen me 50 vjet burg tetë persona

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar me 50 vjet burg tetë të pandehur që kryenin aktivitetin e trafikimit të pistoletave nga Shqipëria në Kosovë. Bashkim Dervina është dënuar me 11 vjet burg, Bujar Doku me 10, Fillim Palushi me 4 vjet burg dhe Ardit Mane po me 4 vjet burg. Ky ishte grupi i parë që është njohur me dënimin. Po dje, Gjykata e Krimeve të Rënda, me një tjetër trup gjykues ka dënuar Rrahman Demën me 3.3 vjet burg, Zamir Kotrin me 3 vjet burg, Ahmet Ferhatin me 9 dhe Artan Aliajn me tre vjet burg. Për grupin e parë gjykata ka dhënë arsyetimin se disa elementë kriminalë, pasi dërgonin në Kosovë fishekë, merrnin pistoleta. Në vijim të hetimeve për procedimin nr. 23 të Prokurorisë së Krimeve të Rënda në këtë vit, më datë 9 mars 2007 është lejuar përgjimi i bisedave telefonike të Bashkim Dervinës. Nga transkriptimet e bisedave na rezultoi se ky i pandehur bashkëpunonte për trafikimin e armëve me Bujar Dokun. Këta persona, sipas akuzës, kryenin trafik nga Kosova në Shqipëri, duke i transportuar nga Dogana e Morinës. Më datën 17 mars 2007, Dervina dhe Doku kanë futur në Shqipëri një sasi armësh të tipit "Mini Blow". Gjashtë pistoletat, Dervina ia ka shitur një muaj më pas Fillim Palushit, ndërsa ky i fundit ia ka rishitur Ardit Manes, i cili është arrestuar në flagrancë në datën 18 mars 2007. Akuza tha se, edhe pas këtij ndalimi, vazhdoi përgjimi i numrave të telefonit të Dervinës dhe Dokut, ku rezultoi se më datë 31 mars të këtij viti kanë dalë nga Dogana e Morinës. U lajmëruan menjëherë forcat e policisë, të cilat kryen kontrollin e automjetit tip "Benz" të drejtuar nga Bujar Doku. Sipas vendimit, gjatë kontrollit në doganë nuk u konstatua asnjë send i paligjshëm. Por forcat e policisë, të cilat kishin informacion të sigurt, e dërguan automjetin në një servis të specializuar në Durrës, ku u konstatua se në njërën prej dyerve ishin futur plot 22 pistoleta. 20 prej tyre të tipit "Mini Blow", ndërsa dy, ishin "Bereta". Gjatë ekspertimit të tyre u konstatua se ishin në gjendje të mirë pune. Më pas, në shtëpinë e Bashkim Dervinës janë gjetur një sasi e konsiderueshme armatimesh, kryesisht fishekë.
Po dje, gjykata ka dënuar edhe katër persona të tjerë për akuzën e trafikut të pistoletave. Ahmet Ferati nga Kukësi, në datën 13.06.2007 ka blerë nga një shtetas kosovar katër copë pistoleta. Këtë sasi pistoletash ai e ka blerë me porosi të të pandehurit tjetër Rrahman Demaj, edhe ky banor i qytetit të Kukësit. Menjëherë pas sigurimit të "mallit" në datën 14.06.2007 i pandehuri Ahmet Ferati është nisur herët në mëngjes nga Kukësi në drejtim të Shkodrës, ku i ka dorëzuar pistoletat të pandehurit Rrahman Demaj. Të pandehurit kanë rëndë dakord që pistoletat e llojit "Mini Blow" t‘i shisnin me shumën 60 000 lekë të reja për një copë.

Grupi 1
Bashkim Dervina, 11 vjet burg
Bujar Doku, 10 vjet burg
Fillim Palushi, 4 vjet burg
Ardit Mane, 4 vjet burg

GRUPI 2
Rrahman Dema, 3.3 vjet burg
Zamir Kotri, 3 vjet burg
Ahmet Ferhati, 9 vjet burg
Artan Alija, 3 vjet burg

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›