E Diel, 1 Nëntor 2026

Geri Malaj: “Dëshiroj të bëhem si Ksavi i Barcelonës”



Dash Frashëri

Futbollisti i talentuar shqiptar, 19-vjeçari Geri Malaj, është një personazh më shumë i njohur në ambientet futbollistike spanjolle, sesa në Shqipëri, edhe pse media e këtushme ka raportuar për lojtarin të rinjve të Deportivo La Korunjës.
Gazeta spanjolle “La Voz de Galicia” i ka bërë një portret të plotë mesfushorit shkatërrues, djalit të një muzikanti nga Kuçova (luan në fagot). Geri, 186 cm, luan në rolin e një mesfushori shkatërrues, por me karakteristika të dukshme, për të ndërmarrë inkursione sulmuese.
Mesfushori shqiptar pohoi se është një admirues i madh i legjendës franceze Zinedin Zidan, edhe pse në rolin e tij aktual ai luan në një pozicion tjetër nga ish-futbollisti i Realit të Madridit. “Tani futbollisti më i mirë në mesfushë është Ksavi, i cili luan në një nivel shumë të lartë. Unë personalisht nuk dëshiroj të vështroj te një lojtar i veçantë, por të kuptoj dhe të analizoj lojën në tërësi. Kush më pëlqen nga Deportivo? Më pëlqen agresiviteti i De Guzmanit dhe personaliteti i Serxhios”.
“Më pëlqen më shumë të orientoj ose të organizoj lojën. Në formacionin e të rinjve ne vendosemi në fushë njëlloj si Barcelona aktuale, me tre mesfushorë, dy më të avancuar e tjetri pak më prapa, për të qenë më afër mbrojtjes. Mua nuk më pëlqen vetëm të jem një rikuperues topash, por dhe të jem pranë sulmit”, - thotë 19-vjeçari.
Vetëm 17 vjeç, Geri mundi të debutojë me Shqipërinë U21 në një ndeshje ndërkombëtare kundër Turqisë, të zhvilluar në Elbasan. “Ishte viti 2007, - thotë Geri për gazetën iberike, - askush nuk më kishte parë më parë gjatë një ndeshje. Luajta gjithë pjesën e dytë dhe shpresoj se tregova një nivel të mirë, pavarësisht se isha vetëm 17 vjeç. Diferenca e moshës me lojtarët e tjerë ishte e dukshme. Gjithsesi, kjo ishte eksperienca ime e parë ndërkombëtare, por mbeta shumë i befasuar”.
Emri i Gerit, sipas asaj që shkruan “La Voz de Galicia”, ndodhet jo vetëm në listën e trajnerëve të moshave të Shqipërisë, por dhe të kombëtares së madhe. “Në fakt, - shton Geri, - zëra ka pasur se mund të më thërrisnin, por për momentin nuk e kam idenë se kur. Një mik më ftoi mua dhe babanë tim për të ndjekur ndeshjen që Kombëtarja (e Shqipërisë) luajti kundër Portugalisë (më 15 tetor në Bragë). Barazuam 0-0 dhe situata ishte shumë e këndshme pas saj, pasi morëm pikë jashtë shtëpisë dhe kundër një prej formacioneve më të mira të botës. Gjithçka shkoi mirë”, - rrëfen me krenari Geri.
Kampionati i kaluar ishte për skuadrën e të rinjve të Deportivos një vit rekordesh. Ekipi u shpall kampion i Divizionit të Nderit, me pesë pikë më shumë se Selta. Duke fituar 22 ndeshje e barazuar tetë. Duke mos humbur asnjë. Dhe Geri, sipas “La Voz de Galicia”, ishte një ndër më të rëndësishmit.
Gjithsesi, edhe fati duket se ka qenë kundër shqiptarit. Të paktën në lidhje me dëmtimet, që nuk e kanë kursyer djaloshin nga Kuçova. Geri këputi ligamentin krucial më 6 maj, vetëm një javë përpara se të fillonte Kupa e Kampioneve e skuadrave kampione të rinjve nga rajonet e Spanjës. U rikthye në fushë në muajin tetor, por sërish gjuri i tij ndihet ende i dobët. Të enjten e kaluar i operua sërish dhe të paktën i duhen gjashtë muaj të rikuperohet.
Geri Malaj mbushi vitin e shtatë që luan futboll dhe të dytin që ai luan me të rinjtë e një klubi të njohur jo vetëm në Spanjë, por dhe në Europë. Është vetëm një vit më i madh se ndërkombëtari spanjoll i U-19, David Rokela, por edhe i një gjenerate i emrave të tjerë të njohur në Spanjë, si Hugo Garisa e Dani Bea, të cilët kanë debutuar tashmë në Primera Divizion. Edhe Geri është thirrur për të qenë pjesë e Deportivos së madhe.
Geri Malaj ishte një fëmijë shumë i vogël kur mbërriti për herë të parë në La Koronja, djali i një muzikanti të emigruar në Spanjë. Babai i tij, Gëzim Malaj, luan në fagot, një instrument në familjen e oboes, dhe që aktualisht bën pjesë në bandën e Bashkisë, ndërsa nëna e tij është një inxhiniere tekstiliste. Futbollisti ka lindur në Kuçovë, një qytet i vogël e i këndshëm, jo shumë larg kryeqytetit shqiptar, Tirana. “Ruajmë shumë marrëdhënie me pjesën tjetër të familjeve të prindërve dhe shkojmë në raste festash”, - deklaron me krenari Geri për gazetën galiceze, duke e përmendur me krenari origjinën e tij.

8 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›