E Diel, 1 Nëntor 2026

Laptop me dy ekrane “Fujitsu Lifebook N7010”



Kompania “Fujitsu” ka paraqitur laptopin, i cili, përveç ekranit standard prej 16 inç, ka edhe një ekran shtesë me diagonale prej 4 inçësh. Vetë laptopi, me emër të plotë Fujitsu Lifebook N7010, bie në klasën e lartë dhe ka procesor të integruar Core 2 Duo nga Intel, i cili punon në taktin 2.26 GHz, ekranin 16 inç, deri në 4 GB RAM memorie, deri në 320 GB të diskut të fortë, kartelë grafike ATI HD 3470 dhe lexues Blu-ray. Në të gjendet edhe kamera me rezolucion prej 1.3 megapikselësh, lexuesi i kartelave SD, Blututh, WiFi, dalje HDMI dhe port eSATA. Megjithatë, kjo është fare pa interes në krahasim me ekranin e vogël shtesë me rezolucion prej 480 x 272, i cili gjendet menjëherë mbi tastierë. Në të mund të gjenden tastet për nisje të shpejtë të aplikacioneve, pllaka kontrolluese për materialet multimediale, shfletuesi i fotografive dhe shumë gjëra të tilla të ngjashme. Duket interesant, edhe pse nuk jemi të sigurt se sa janë të dobishme të gjitha këto.

“XH-MO25 TV Mobile”, celular me pamje të pazakontë

Për shijet nuk ia vlen të diskutohet, mirëpo është krejtësisht e sigurt që shumica e përdoruesve, dizajnin e pajisjes të prodhuesit tërësisht të panjohur do ta konsiderojnë si të pazakontë. Nëse dikush pyet a ka qenë i hutuar dizenjuesi i pajisjes së emëruar “XH-MO25 TV Mobile Phone”, ne nuk dimë cila është përgjigjja, pasi ai ka vendosur të integrojë të gjitha shtojcat që i kanë rënë në mend. Përsa u përket karakteristikave teknike, ato nuk mungojnë në këtë celular. Ai posedon mbështetje për pranimin e dy kartelave SIM, të cilat janë njëkohësisht aktive, ekran prej tre inçësh, pranues të radiovalëve FM dhe player multimedial, qasje për kartelat e memories të formatit të panjohur, tre zmadhues të integruar, dy kamera të integruara dhe punë në frekuencat GSM900/DCS1800. Mbetet i panjohur çmimi i kësaj pajisjeje dhe paraqitja e tij në treg.

Zmadhues i madh për iPod “Porto Go”

Nëse dëshironi që MP3 playerin ta shndërroni në diçka që bartet më me vështirësi, atëherë mund të blini këtë sistem të madh zëri me emërtimin “Porto Go”. Zmadhuesi i kompanisë “Audio Pro” njëkohësisht është edhe dok (dock) për iPod, por ka edhe qasjen prej 3.5 milimetrash për t’u ndërlidhur me pajisjet e tjera. Shtrija e frekuencave është 58 Hz deri në 20.000 KHz, ndërsa zmadhuesi mund të prodhojë deri në 100 decibelë, që mjafton për një ndejë normale. Pajisjen mund ta lidhni në energji, por ajo punon edhe me bateri, të cilat do të mund të zgjasin deri në gjashtë orë. Çmimi i tij është 190 dollarë amerikanë.

8 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›