“Volkswagen” prodhon automjetin që harxhon 2 litra naftë
Besnikëria e prodhuesit gjerman “Volkswagen” ndaj automjeteve ultra-kompakte ka filluar të marrë përmasa të gjera. Pas treshes konceptuale të serisë “Up!”, të paraqitur vitin e kaluar “Up!, Space up! dhe Space up! Blue”, në Volkswagen janë shprehur se janë duke punuar edhe për një model më të vogël, i cili do të përballet drejtpërdrejt me Smart forto. Ashtu si Smart-i, edhe Volkswagen-i më i vogël do të duhej të kishte vetëm dy ulëse, mirëpo mungesa e hapësirës do të kompensohej me ekonominë të cilën nuk e hasim përditë. Paralajmërimet e para thonë se automjeti i vockël mesatarisht duhet të shpenzojë dy litra karburant për 100 kilometra të përshkruara. Sipas shkrimeve nga “Auto, Motor und Sport”, Volkswagen-i më i vogël do të duhej të ndërtohej në platformën e atij Up!, ndërsa për ta futur në lëvizje do të bëhej përgjegjës motori njëlitërsh me naftë, me tre cilindra dhe 50 KF. Up! i parë do të duhej që në treg të paraqitet gjatë vitit 2010, ndërsa modelet e tjera, përfshirë edhe paraqitjen më të vogël, do të paraqiten më vonë.
“Citroen” paraqiti modelin “C1” të ripërpunuar
Ardhmëria e automjeteve të vogla të qytetit është pa dyshim e mirë, prandaj nuk duhet të habitemi që vetëm tre vjet pas paraqitjes, prodhuesi francez “Citroen” ka vendosur të ripërpunojë modelin e tij më të vogël “C1”. ”C1” i ri është bërë me maskë më tërheqëse dhe rrjet të kromuar të ftohësit, si dhe me mbrojtësit më të theksuar të përparmë e të prapmë. Në brendësi automjeti është punuar me materiale më cilësore dhe më të pasuruar të pajisjeve. Francezët kanë përpunuar edhe motorin njëlitërsh, i cili tani emeton vetëm 108 gramë CO2 për kilometër, që është më së paku në klasën e tij dhe kalon njëqind kilometra dhe pak më shumë se katër litra karburant.
“Nissan” shfaq fotografitë e para të “370 Z”
Në prag të hapjes së panairit të automjeteve në Los Anxhelos, “Nissan” ka publikuar fotografitë zyrtare të automjetit “370 Z”. Automjeti do të duhej që të paraqitej në treg në fillim të vitit të ardhshëm si model për vitin 2009. “370 Z” i ri duket pikërisht siç e kemi pritur, pasi kemi parë fotografitë jozyrtare për muaj me radhë. Automjeti ka mbajtur linjën bazë të paraardhësit të tij, megjithatë është ridizenjuar maska e përparme dhe dritat e reja në pjesën e përparme dhe të prapme. Në të gjenden edhe dritat ditore LED, megjithatë duket se Nissan-i ka mundur që të përmirësojë dukshëm kualitetin e materialit në brendësi. Pritet që automjeti i ri të jetë më i shkurtër, ndërsa për motor është zgjedhur 3.7-litërshi V6 nga Infiniti G37 Coupe. Motori në formë standarde zhvillon 330 KF dhe moment të nisjes prej 360 Nm, mirëpo në modelin “Z” do të duhej të kishte në dispozicion 350 KF dhe marsh automatik me lidhje të dyfishtë. Nissan-i tanimë ka paralajmëruar se me modelin e ri “Z” planifikon të konkurrojë “Porsche Cayman”.
8 Nentor 2008