E Diel, 1 Nëntor 2026

Çantat me lëkurë krokodili, moda vjeshtë 2008



Kënaqësia e shumë grave, të cilën burrat nuk e kanë kuptuar kurrë, janë çantat. Ato janë konsideruar nga gjinia tjetër si një mjet i thjeshtë që na mundëson transportimin e gjërave më personale. Por çantat janë më shumë se kaq. Ato janë një ekspozim i modës, një aksesor që për shumicën nga ne është fiksim i vërtetë. Kështu, kurdo që vjen stina e re, jemi të interesuara të shikojmë stilet e fundit të çantave për të bërë më pas blerjet e duhura. E ndërsa është gjithmonë një “çantë e stinës” (mund të jenë 2 ose 3) që kushton më shumë se rroga juaj mujore, nuk mund të grabisni bankën çdo stinë për të pasur një çantë trendy në krahun tuaj. Kjo stinë sjell për ne forma, stile dhe cilësi të reja, ashtu siç do të hidhen edhe disa nga çantat që kemi ende nga viti i shkuar. Një nga problemet më të mëdha lidhur me çantat është edhe kombinimi i tyre me aksesorët e tjerë, me këpucët, por edhe me veshjet.
Çanta me lëkurë krokodili
Materialet e kësaj stine variojnë sipas preferencave: lëkurë zvarranikësh, lëkurë e lustruar, lëkurë krokodili. Format e çantave me këtë material mund t’i gjeni në të gjitha llojet, përmasat dhe ngjyrat e stinës. Më e preferueshme do të ishte një çantë Prada. Lëkura e krokodilit ka vetinë për të ngjasuar me një çantë moderne dhe të stilit të lartë.
Çanta e shpinës
Forma më popullore e kësaj stine është konsideruar forma e çantës së shpinës pasi të gjithë yjet e Hollivudit janë parë kohët e fundit me këta aksesorë të mrekullueshëm. E mira e kësaj forme është se aty mund të fusni një numër të madh sendesh.
Çanta me thekë
Llojet më të veçanta të kësaj stine janë çantat me thekë. Shumë dizenjues i kanë përshtatur thekët me mjaft kujdes edhe me veshjen në përgjithësi dhe ngjyrat që ofron stina e vjeshtës. Një çantë e tillë mund të shkojë deri në 80 euro, me ngjyra nga më të ndryshmet, e përhimtë në gri, kafe dhe sigurisht e zezë. Vite më parë, aksesorët me thekë janë përdorur gjerësisht duke përmendur edhe çizmet dhe pantallonat.
Çanta me doreza të shkurtra
Një stil i preferuar i kësaj stine vjeshte janë edhe çantat me doreza të shkurtra. Ato mund të gjenden në forma dhe përmasa të ndryshme. Të gjitha çantat kanë doreza, por jo të gjitha i kanë ato të shkurtra. Ato do të na mundësonin një pamje më serioze dhe të këndshme. I rëndësishëm për këto çanta është kombinimi me ngjyrën dhe modelin e çizmeve ose këpucëve handles. Ajo që do të përftoni është një pamje e freskët në sajë të një aksesori që ia vlen t’i kushtosh rëndësi.
Çanta me ngjyra të ndezura
Aksesorët me ngjyra të ndezura janë tepër të preferuara për këtë stinë duke përmendur edhe çantat. Ngjyrat e kësaj stine janë: jeshilja, e kuqja dhe portokallia, por fitueset e vërteta të kësaj stine janë bluja dhe vishnja. Ngjyrat joshëse janë përdorur nga modeluesit më të famshëm të çantave për t’i bërë ato më joshëse për stinën e vjeshtës, por edhe dimrit.
Çantat e vogla elegante
Kjo çantë i jep çdokujt një pamje nostalgjike dhe klasike. Ajo është e preferueshme të përdoret nga femrat me një pozitë të rëndësishme në punë dhe festa e mbrëmje. Zakonisht kjo lloj çante është e zbukuruar nga një fjongo, e cila bën që në një mbrëmje të dukeni më feminile dhe joshëse. Ngjyrat që janë përdorur për këtë lloj çante janë e zeza, por edhe grija e errët.

Si të zgjedhim çadrën për vjeshtë

Çadrat, ashtu si edhe rrobat, zgjidhen në bazë të stinës. Kjo do të thotë që gjatë vjeshtës duhet të zëvendësoni çadrën ashtu siç bëni me garderobën.
Ngjyrat
Ngjyrat më praktike të çadrave për stinën e vjeshtës janë grija, e zeza, ngjyrat e tokës dhe ngjyrat e ndezura të mbytyra. Por kjo nuk do të thotë që ngjyrat tuaja të preferuara si roza, e verdha apo jeshilja të lihen pas. Sekreti i vetëm është se duhen zgjedhur në variantet e mbytura si e verdhë e zbehtë ose e verdhë në mustardë. Të gjitha nuancat e grisë, veçanërisht grija e zbehtë, e cila do të ishte perfekte edhe për ditët kur do të bjerë shi dhe ju duhet ta mbani me vete. Çadrat gri mund t’i shtojnë veshjes suaj një efekt special nëse jeni tip aventurier. Idealja do të ishte që ajo të kombinohej me një shall ose këmishë me ngjyrë më të ndezur. Blerja e një çadre me tonet e tokës është gjithmonë një bast i fituar, por e pranueshme do të ishte edhe një çadër me ngjyrë jeshile të errët ose gështenjë.
Dizenjot
Përsa i përket dizenjove, më të këshillueshmet do të ishin çadrat me pika tradicionale por edhe modele të tilla si lule, gjethe ose objekte të tjera të stinës së vjeshtës. Të tjera dizenjo të preferueshme janë shiritat e gjerë me ngjyrat e duhura si: gri me të bardhë, e verdhë mustardë me kafe, rozë e mbyllur me kafe dhe një kombinim i pazakontë do të ishte përshtatja e të zezës me rozë të errët. Ky do të ishte një kombinim i guximshëm, por edhe interesant.

8 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›