Histori tipike dhe ngjarje interesante sonte në orën 21:00 në “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon”
Një mori rastesh interesante dhe historish që morën një zgjidhje pas shumë peripecish do të përbënin boshtin kryesor të së shtunës së kaluar në emisionin “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” në Vizion Plus. Historia e parë do të kishte në qendër të saj një djalë 22-vjeçar, i cili quhej Martin. Martini, një fëmijë me aftësi të kufizuara, prej shumë vitesh frekuenton qendrën sociale “Të qëndrojmë së bashku”. I pajisur me një ndjeshmëri të veçante ndaj pikturës, por edhe muzikës, ai kishte pasion këngët popullore të Jugut, sidomos këngëtarin e quajtur Dule Malindi. Videotekat e kryeqytetit ishin shndërruar në strehëzën e tij të përjavshme, për të dëgjuar çdo këngë të re që mund të përmbajë albumi i këngëtarëve nga trevat e Jugut. Martini ishte një personazh mjaft interesant dhe për këtë arsye ai meritonte një vëmendje të veçantë. Në bisedën e realizuar në studio e gjithë salla u elektrizua nga përgjigjet e tij mjaft të shpejta dhe të mbushura me batuta që vinin spontane. Dukej që në portret që reflektonte shumë mirësi dhe duke u nisur nga ky fakt Rudina Magjistari i kishte përgatitur atij surprizën e parë. Një supermagnetofon me 5 disqe dhe një set kompaktdisqesh me këngëtarët e tij më të preferuar. Një shkëlqim të menjëhershëm mori fytyra e Martinit kur pa se i gjithë seti ishte përgatitur enkas për të. Por surprizat do të vazhdonin edhe më tej. Ai kishte marrë me vete dy nga pikturat e tij që kishte vendosur t`i shesë. Në të njëjtën kohë Rudina kishte folur me blerësin, i cili do ta vlerësonte realisht punën e tij artistike. Në telefonatën e realizuar me Rudinën, përfaqësuesi i kompanisë “Chicco” në Shqipëri, z. Fatos Jaupi, ofroi shumën e 400 mijë lekëve të vjetër për të dyja pikturat. Sapo i mori këto para Martini mendoi menjëherë t`i shpenzonte ato për mobilimin e shtëpisë së tij. Këngëtarja Paro dhe grupi “Djemtë e Vjosës” të cilët performuan në studio një kolazh këngësh nga repertori i tyre shënoi dhe qershinë mbi tortë të surprizave që emisioni “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” kishte përgatitur për Martinin. Para se te largohej nga studio, Rudina i premtoi Martinit se do t’i realizonte takimin aq shume të dëshiruar nga ai me Dule Malindin. Nuk është asnjëherë vonë për të kërkuar falje dhe lidhur me këtë gjë një vajzë 15-vjeçare dha shembullin më të mirë. Pas një kërkese në redaksinë e emisionit, Sara nga Tirana kishte kërkuar ndihmën e Rudina Magjistarit për t`i kërkuar falje publike dy prindërve të saj, pasi disa kohë më parë ajo kishte vendosur për t`u transferuar në një shkollë tjetër pa lejen e tyre. Pas ftesës në studio, prindërit kanë qenë gjatë gjithë kohës kureshtarë të dinin se cili ishte personi që fshihej pas ftesës së dërguar përmes programit tonë dhe kur ata panë përmes monitorit vajzën e tyre Sarën që po lexonte letrën e përgatitur enkas për ta, gjithçka mori një tjetër rrjedhë. Emocionet e përziera me lotët prej prindi bënë që Sara t`ia arrijë qëllimit të saj për të marrë qoftë edhe publikisht miratimin e tyre për transferimin e saj në shkollën e re. Mbështetje për të ishte dhe reagimi i mësueses kujdestare, e cila ishte shumë e kënaqur me rezultatet e Sarës dhe në vazhdim të dëshirës së saj për t`u shkolluar, stafi i “Rudina Magjistari-Misioni Vazhdon” i dhuroi asaj një komplet librash artistikë. Më tej nata u pasua nga rubrika “Lajmi i mirë”, ku me anë të një gjesti të thjeshtë jepej mesazhi se çdo njeri mund të bëjë diçka për tjetrin, qoftë edhe diçka e vogël. E në vazhdën e këtyre shembujve, Rudina Magjistari kishte zbritur vetë në terren për të ndihmuar një zonjë për të mbajtur çantat e pazarit, nga një komposto për dy të sëmurë në spital dhe një buqetë me lule për një zonjë e cila atë ditë kishte ditëlindjen. Agim Aliaj dhe historia e dhimbshme e ndarjes me vëllanë e tij do të vijonte më tej natën e tretë të emisionit. Agimi largohet së bashku me vëllanë e tij Ilirjanin drejt Italisë me eksodin e vitit 1991. Qëndruan për pak kohë në një kamp emigrantësh në Kaserta. Në vitin 1994 Agimi telefonon vëllanë e tij në Shqipëri, Skënderin, dhe i ka thënë se ndodhej në një kamp emigrantësh në Haten të Holandës, ku ishte regjistruar si kosovar me emrin Nezir Muzliaj, nga fshati Ucë i komunës, Istok. Viti 1994 ka qenë viti i ndërprerjes përfundimtare të kontakteve mes Agimit dhe të afërmve të tij. Nga trajtimi në studio erdhën disa informacione, të cilat dhanë një vendndodhje më të afërt të Agimit pikërisht në vitin 2004. Në këtë vit ai telefonon një shok të quajtur Arben Haxhiu, të cilit i ka pohuar se ndodhej në Holandë dhe ishte mirë me shëndet. Ndërkohë ai e ka pyetur mikun e tij nëse e dinte se çfarë ishte bërë me vëllain e tij, Skënderin. I njëjti lajm erdhi sërish edhe nga disa persona të tjerë të cilët i kanë pohuar Skënderit se e kanë parë dhe madje kanë jetuar me Agimin në një kamp emigrantësh në Roterdam të Holandës. Nata u mbyll me historinë dramatike të një vogëlushi, i cili sapo kishte mbushur 1 vjeç, nga Fieri, i quajtur Frenki Sulaj. Kur Frenki ishte 2 muaj e gjysmë prindërit filluan të vinin re se vogëlushi nuk i ndiqte me sy ata dhe pas disa ekzaminimeve nga mjekët e lagjes rezultoi se djali nuk kishte probleme me sytë, pasi shikimi do t`i vinte kur të ishte 5 muajsh. Në fillim të muajit të katërt nëna e viziton djalin në Tiranë te okulisti i specializuar në Pediatri, dr. Shkëlqim Dajti, i cili pas një ekzaminimi tërësor nxori përfundimin se ”Fëmija nuk fiksonte dritën dhe nuk e ndiqte atë” dhe diagnoza e përcaktuar ishte: Retinopati e prematurit. Menjëherë djali referohet në Turqi në një prej mjekëve më të mirë okulistë në Europën Juglindore i quajtur Murat Karaçorlu. Frenkli kishte kryer tre operacione dhe gjendja e tij shëndetësore po përkeqësohej me shpejtësi. Kjo për arsyen e thjeshtë: Tubi i valvulës ishte vendosur në madhësinë e syrit të zmadhuar. Pas operacionit syri u kthye në gjendjen normale, ndërkohë që tubi i valvulës e pengon djalin për të parë normalisht. Totali në kosto i tre operacioneve të deritanishme ishte 25 mijë euro. Ndërkohë që babai punonte si shofer në transportin e mësuesve nga fshati në qytet, u detyrua të shesë autobusin dhe të mundësoje operacionin e djalit. Familja ka marrë para borxh dhe nga ana tjetër kanë marrë kredi dhe nuk po ia dilnin dot për t`i shlyer borxhet dhe kreditë. Arsyeja kryesore ishte se ata nuk kishin para për të realizuar operacionin e katërt dhe ardhja e tyre në studio kishte pikërisht këtë qëllim. Sapo rasti u prezantua erdhën dhe donacionet e para nga qytetarë të cilët sapo dëgjuan për historinë e djalit u treguan të gatshëm për ta ndihmuar atë. Nga ana tjetër Rudina Magjistari i dorëzoi prindërve të Frenkit një shumë prej 2000 eurosh dhuratë nga presidenti i nderuar i kompanisë së ndërtimit “Eurovini”, z. Bujar Hasaj, por dhe tre biletat për në Turqi të ofruara me shumë zemërgjerësi nga kompania turke “Turkish Airlines” për të realizuar pas dy ditësh operacionin që do t’i shpëtonte djalit sytë nga verbimi i përjetshëm. Nata e sotme do t`i referohet disa historive realisht interesante të cilat vijnë në program jo vetëm për t`u evidentuar, por edhe për të përcjellë një mesazh, atë të vëmendjes dhe dashurisë njerëzore.
8 Nentor 2008