E Diel, 1 Nëntor 2026

“Funerali i pafundëm” i Visar Zhitit bën jehonë në Rumani



Promovimi i romanit “Funerali i pafundëm” të shkrimtarit Visar Zhiti në rumanisht, dy ditë radhazi, (9 dhe 10 prill) në Bukuresht dhe në Konstancë, është konsideruar si një eveniment kulturor në fushën e letrave. Romani në fjalë është konsideruar nga kritika rumune si një prej veprave më interesante të letërsisë bashkëkohore shqiptare, e cila është përkthyer në gjuhën rumune. “Funerali i pafundëm”, i botuar nga shtëpia botuese prestigjoze rumune “Corint/Leda” në kolanën letërsi europiane bashkëkohore është përkthim i dr. Luan Topçiut. Televizionet dhe mediat kryesore në Rumani nuk e lanë jashtë vëmendjes së tyre promovimin e këtij libri, ndërkaq që Ambasada e Shqipërisë në Bukuresht, në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve të Rumanisë dhe me Grupin Editorial Corint organizuan në Bukuresht, në Sallën e Pasqyrave të Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, promovimin e romanit “Funerali i pafundëm”, në rumanisht. Në këtë veprimtari merrnin pjesë shkrimtarë rumunë, intelektualë e dashamirës të letërsisë, profesorë universitarë, përfaqësues të komunitetit shqiptar, studentë etj. Në fjalën e hapjes, Laurian Stanchescu, sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, do të theksonte mes të tjerash se “...dua të shpreh gëzimin tim për praninë e këtij shkrimtari të madh shqiptar në Rumani. Visar Zhiti është njëri ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të ditëve tona. I lumtur është atdheu me heronj dhe mendimtarë të tillë, përmasat e të cilëve e përmbushin fatin e një kombi siç është Shqipëria.” Ndërsa javën që shkoi, më 10 prill, romani i Zhitit u promovua përsëdyti në sallën e Muzeut Historik Kombëtar dhe të Arkeologjisë në qytetin bregdetar të Konstancës. Prezantimi i librit u bë nga prof. George Dumitrashku dhe nga shkrimtari Liviu Lungu.

Starton gara e 400 artistëve në festivalin mbarëkombëtar “Maratona rinore” në Durrës

400 të rinj shqiptarë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi do të konkurojnë në edicionin e 5-të të Festivalit Mbarëkombëtar “Maratona Rinore” që ka nisur mbrëmë në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Presidenti i Festivalit Gjergj Kote tha për ATSH-në se, “Në këtë edicion që do të vazhdojë pesë mbrëmje radhazi do të konkurojnë kryesisht nxënës të shkollave të mesme nga Tirana, Elbasani, Shkodra, Gramshi, Lushnja dhe Kruja, si dhe nga Peja (Kosovë), Kërçova (Maqedoni) dhe Ulqini e Budva (Mali i Zi).” Sipas Kotes të rinjtë do të paraqiten me rreth 60 numra artistikë si këngë, kërcime moderne, etyde aktoriale, skeçe, monologje e pantomima.
Një mbrëmje e veçantë do ti kushtohet folklorit dhe në skenë do të ngjiten ansamble folklorike të të rinjve nga Durrësi, Gramshi, Elbasani, si dhe nga Maqedonia e Mali i Zi. Kote shtoi se “pas tre shfaqjeve konkuruese, performancat më të mira do të konkurrojnë në spektaklin gala të 18 prillit.” Festivali mbarëkombëtar i të rinjve organizohet nga Fondacioni kulturor “Blue Epidamus”.

16 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›