E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërmonte për krom, plagoset 29-vjeçari

Autori i Lajmit: red.
Gërmonte në stoqet e kromit me kazmë, por ka mbetur i plagosur nga shpërthimi i një granate. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje në minierën e Bulqizës, por këtë herë, për fat, minatori vetëm ka mbetur i plagosur. Shpërthimi ka ndodhur jashtë galerive, kur minatori 29-vjeçar Kujtim Miftari ishte duke punuar për mbledhjen e copave të kromit. Sipas dëshmive nga vendi i ngjarjes mësohet se në kohën që punonte me kazmë, mjeti ka hasur në një granatë, e cila ka shpërthyer, duke e rrëzuar të riun përtokë të gjakosur. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes ai ka marrë plagë në fytyrë dhe në sy dhe është dërguar për mjekim në spital, i ndihmuar nga kolegët. Mjekët që e pritën në urgjencë, i kanë dhënë ndihmën e parë dhe, për fat, kanë deklaruar se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja
Një incident i rëndë është shënuar dje në minierën e Bulqizës. Një i ri është plagosur gjatë gërmimit në stogun e kromit. Burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 11:00 jashtë galerive të minierës në stogun e kromit, kur Kujtim Miftari, 29 vjeç, po gërmonte për të mbledhur copa kromi. Sipas të njëjtave burime, mësohet se gjatë gërmimit shpërtheu një granatë që ndodhej e fshehur mes stogut të kromit. Si pasojë 29-vjeçari mori plagë të rënda në sy dhe në fytyrë. Ai u ndihmua menjëherë nga të tjerë banorë të Bulqizës që po punonin në minierë. Policia ka shkuar në vendngjarje dhe po heton për incidentin. Nga hetimet paraprake dyshohet se granata mund t i përkasë arsenalit të shpërndarë të armëve në rrëmujat e vitit 1997. Edhe pse jashtë minierës është urdhëruar që të mos ndërhyhet, sërish banorë dhe më të shumti fëmijë, përditë gërmojnë dhe grumbullojnë krom në sigurim të të ardhurave për jetesën e tyre. Policia e mbërritur në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet për të hedhur dritë rreth shkaqeve të incidentit. Ndërkohë që vetëm një javë më parë humbi jetën një tjetër minator në Bulqizë. Ka gjetur vdekjen duke punuar në hyrje të pusit Ivzi Elezi. Minatori që ka gjetur vdekjen në këtë aksident ishte 42 vjeç, baba i dy fëmijëve.
Aksidentet
Vetëm 20 muajt e fundit në këtë minierë janë shënuar 16 viktima njerëzish, të cilët kanë gjetur vdekjen si pasojë e mungesës së kushteve në punë. Përgjegjëse për këtë tragjedi janë gjithë strukturat e shtetit, të cilat me heshtjen e tyre po marrin në mënyrë të vazhdueshme jetë njerëzish. Shkaku i aksidenteve të mëparshme nuk është marrë seriozisht dhe kjo është më e dhimbshmja për familjet e minatorëve dhe gjithë shqiptarëve. “Qeveria lan duart me Bulqizën, duke marrë përsipër vetëm organizimin e funeraleve dhe jo për t i bërë analizë gjendjes kaotike, situatës tepër të rënduar të kushteve të sigurisë së jetës së minatorëve e cila e ka bazën tek korrupsioni galopant që shfaqet në Bulqizë me tragjeditë e njëpasnjëshme, i ngjet jo një kantieri pune, por një Gërdeci të dytë", - ka deklaruar menjëherë pas tragjedisë atje, deputeti Minxhozi. Ndërkohë policia ka saktësuar me detaje ngjarjen se 55-vjeçari po përpiqej të zbriste poshtë masivit, kur rrëshqiti duke shkëputur një masë të konsiderueshme që ra sipër tij, duke i marrë në mënyrë të menjëhershme jetën. Menjeherë pas vdekjes së tij, ka reaguar deputeti socialist i zonës, i cili i ka quajtur përgjegjësi të qeverisë, vdekjet e njëpasnjëshme të minatorëve.

Ky lajm është publikuar: 13/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›