E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rivaliteti dëmton Spanjën

Selektori i Spanjës, Vicente del Bosque ka thënë se rivaliteti i ashpër mes Real Madridit dhe Barcelonës ka dëmtuar ekipin kombëtar. Ai thekson se duhet të gjendet një zgjidhje për të zvogëluar tensionet dhe për të kthyer atmosferën e mirë nëse duan të vazhdojnë rrugën e suksesshme në arenën ndërkombëtare. Nga Express më 27 qershor 2011 në ora 05:06

Selektori i Spanjës, Vicente del Bosque ka thënë se rivaliteti i ashpër mes Real Madridit dhe Barcelonës ka lënë “plagë” në ekipin kombëtar që fitoi Kampionatin botëror 2010 dhe ato duhet të shërohen.

Dy klubet – që përbën pjesën më të madhe të skuadrës së Spanjës në garën e vitit të kaluar në Afrikën e Jugut – ishin përfshirë në një seri të betejave prej katër ndeshjeve brenda 18 ditëve në prill dhe maj.

Trajneri i Realit, Jose Mourinho u dënua për pesë ndeshje nga UEFA, pasi bëri komente për favorizime ndaj Barcelonës, pas humbjes së Realit 2-0 në ndeshjen e parë të përballjes së tyre, në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

“Ne duhet t’i shërojmë plagët sa më shpejt që është e mundur. Përballjet kanë lënë gjurmët e tyre, sepse ka njerëz që përdorin rivalitetin Madrid-Barcelonë për ndarje”, tha Del Bosque gjatë një interviste të publikuar të dielën, në të përditshmen nga Barcelona, La Vanguardia.

“Do të kërkojmë zgjidhje, pa abuzuar diplomacinë. Shpresoj që e gjithë kjo rrëmujë me kaq shumë ndeshje nuk na dëmton shumë, sepse do të ishte një gabim i rëndë. Gjatë një gare, nganjëherë ka fraksion, por ju asnjëherë nuk duhet të humbni respektin. Nëse duam të jemi kampion, nëse duam të vazhdojmë rrugën e suksesit, ne duhet të ruajmë atmosferën e mirë”, shtoi ai.

Del Bosque, i cili udhëheq Spanjën nga viti 2008. Me Real Madridin fitoi dy trofe të Ligës së Kampionëve dhe një çift të titujve të ligës, para shkarkimit nga posti i trajnerit të ekipit, më 2003.

I pyetur nëse do të kthehet sërish në Real Madrid, 60-vjeçari tha: “Jo, kurrë, kurrë. Asgjë nuk do të më bëjë të ndryshoj vendimin, nuk do të kthehem në Madrid, por më duhet të them se si një institucion, klubi më ka dhënë gjithçka dhe nuk ndjej se kanë borxh ndaj meje”.

Muajin e kaluar, Barcelona fitoi Ligën e Kampionëve duke mposhtur në finale Manchester Unitedin, 3-1 në stadiumin Wembley, ndërsa triumfuan edhe në La Liga.

“Barcelona për momentin është një hap mbi të tjerët. Por, shoh ekipe që janë po ashtu shumë të forta dhe do të vijë koha kur Barcelona edhe do të humbë. Ata kanë treguar se janë më të mirët, por në futboll askush nuk është i paprekshëm”, përfundoi Del Bosque.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›