E Diel, 1 Nëntor 2026

KE në Kushtetuese: Mos u zmbrapsni para presioneve, vazhdoni punën tuaj

 

Dy raporterët e Këshillit të Evropës, David Uilshire dhe Jako Lakso u takuan dje me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, ku në qendër të takimit ka qenë ligji i “Pastërtisë së figurave zyrtare”. Burime pranë përfaqësisë së KE-së në Tiranë thanë se mesazhi i dhënë kryetarit të kësaj gjykate ka qenë “vazhdoni punën tuaj, mos u zmbrapsi para presioneve”. Nga ana tjetër reporterët janë interesuar të njihen me kuadrin kushtetues të këtij ligji. Në takimet me personalitete të jetës politike të vendit, raporterët e Këshillit të Evropës kanë hedhur idenë e angazhimit të Komisionit të Venecias në shqyrtimin e këtij ligji, duke lënë të lirë në këtë mënyrë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nga konflikti i interesit. Në këtë mënyrë, ligji do të shqyrtohej dhe nuk do të niste të vepronte, por më parë për të duhet marrë vendimi për pezullimin e ekzekutimit të tij. Pritet që raporti që përfaqësuesit e Këshillit të Evropës do të hartojnë pas turit treditor në Shqipëri, të ndikojë në një vendimmarrje të Komisionit të Venecias për të reaguar dhe ndoshta kërkuar angazhimin e tij në këtë çështje, e cila ka ndeshur një rezistencë të madhe nga faktorë të rëndësishëm politikë vendas dhe ndërkombëtarë. Kanë qenë pothuaj ambasadat kryesore në Tiranë, SHBA, britanike, OSBE që kanë kërkuar rishikimin e këtij ligji për shkak të përplasjes së tij me nene të Kushtetutës, ndërsa qeveria ka nxituar ta miratojë dhe të kërkojë zbatimin e saj. Pritet që brenda kësaj jave ligji “Për pastërtinë e figurave” të nisë shqyrtimin, nëse duhet të merret në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese apo jo për t’ia lënë javën e ardhshme gjykimit për pezullimin e zbatimit të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›