E Shtunë, 31 Tetor 2026

Depozitat do të garantohen deri në 2.5 milionë lekë

 

FABIOLA ÇELA

Depozitat deri në 2.5 milionë lekë do të garantohen 100 për qind. Kjo do të thotë se në rast se një bankë falimenton, klientët të cilët kanë depozituar deri në 2.5 milionë lekë, do të kompensohen 100 për qind. Burime konfidenciale pranë Bankës së Shqipërisë konfirojmë se BSH-ë do t’i kërkojë qeverisë që të ndryshojë nivelin e garantimit të depozitave.
Depozitat
Kriza globale financiare, që ka përfshirë shumë banka të mëdha në botë, e ka detyruar Bankën Qendrore që të kërkojë ndryshimin e kufirit minimal të garantimit të depozitave të klientëve. Sipas projektit të Bankës së Shqipërisë, klientët depozitat e të cilëve janë deri në 2.5 milionë lekë, duhet të garantohen 100 për qind. Ndërsa për klientët, depozitat e të cilëve janë mbi këtë shumë, Banka e Shqipërisë ka kërkuar që sigurimi i tyre të jetë në bazë të përqindjes, si p.sh 70 ose 80 për qind e shumës. Por ende nuk është vendosur përfundimisht se sa do të jetë masa e kompensimit për këto nivele depozitash. E njëjta gjë vlen edhe për depozitat në euro apo dollarë. Në ligjin aktual të sigurimit të depozitave është e parashikuar që për depozitat në vlerë deri në 350 mijë lekë, garantimi i tyrë është 100 për qind. Ndërsa për depozitat deri në 700 mijë lekë, shuma e kompensimit, në rast falimentimi të bankës, është 80 për qind. Në fakt kjo kërkesë e Bankës së Shqipërisë vjen pas vendimit të marrë nga shumë banka evropiane, të cilat si pasojë e krizës, rritën kufirin e sigurimit të depozitave të klientëve.
Kriza
Gjatë vitit të kaluar, shumë klientë të frikësuar nga kriza botërore u drejtuan drejt bankave për të tërhequr paratë e tyre. Një fakt i tillë është pranuar edhe nga vetë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, gjatë deklaratës së politikës monetare për 6-mujorin e dytë të 2008-ës. Megjithatë, sipas guvernatorit, këto tërheqje parash nuk ishin në shuma të konsiderueshme. “Muajt e fundit të vitit 2008 u shoqëruan me tërheqjen e një pjese të vogël të depozitave nga sistemi bankar, si pasojë e paqartësisë që shkaktoi në shtresa specifike të popullsisë situata financiare globale. Në terma relativë, këto tërheqje kanë përbërë një pjesë të vogël të bilancit të bankave tregtare dhe nuk kanë ndikuar treguesit e shëndetit të sistemit bankar apo cenuar aftësinë e tij, për të kryer rolin e ndërmjetësit financiar”, ka deklaruar Guvernatoi i Bankës së Shqipërisë.

Treguesit financiarë për 2008-ën

• Rritja ekonomike vlerësohet të jetë 7.2 për qind

• Të ardhurat buxhetore arritën në 290 miliardë lekë, ose 26.71 për qind e PBB, krahasuar me 25.77 për qind e PBB në vitin 2007.

• Të ardhurat nga ndihmat arritën në 3.04 miliardë lekë ose 0.28% e PBB,

• Të ardhurat tatimore arritën në 264 miliardë lekë, nga 270,9 miliardë lekë të planifikuara, duke rezultuar me një mosrealizim prej rreth 6,9 miliardë lekë ose 97.46 përqind e planit

• Të ardhurat nga TVSH kanë arritur në rreth 107 miliardë lekë, nga 106,9 miliardë lekë të planifikuara, pra me një realizim të planit me 100.18 për qind ose 190 milionë lekë.

• Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin arritën në 18.1 miliardë lekë, krahasuar me 21 miliardë lekë që ishin në vitin 2007, pra rreth 14 për qind më pak në kushtet kur norma e tatimit u përgjysmua.

• Të ardhurat nga akcizat arritën në 32.5 miliardë lekë, nga 28.7 miliardë lekë të planifikuara, duke pasur një realizim prej 91.6  për qind të planit, pra më një mosrealizim prej 2.9 miliardë lekësh.

• Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale arritën në 24,4 miliardë lekë, ose 1,1 miliardë lekë më shumë se plani, pra me një realizim prej 104.78 për qind. 

• Investimet publike janë realizuar në 92,4 miliardë lekë, nga 95.2 miliardë lekë të programuara ose me një realizim 97.0 për qind. Investimet publike nga financimi i brendshëm janë realizuar 49.9 miliardë lekë, nga 53.1 miliardë lekë të programuara ose janë realizuar 94 për qind të programit. Investime nga burime të huaja janë realizuar 42.3 miliardë lekë nga 41.9 miliardë lekë të programuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›