E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gerveni: Në bisedime përdorëm hartën tonë

 

Si pasojë e mospasjes së kufirit detar me Malin e Zi, një kapiten shqiptar u vra në vitin 1975 nga rojat fqinje, për shkak se pretendohej nga ish Jugosllovia se kishte hyrë në ujërat e saj. Sipas zv.shefit të shtabit të Përgjithshëm, kundëradmiral Kristaq Gervenit, rëndësia e marrëveshjes me Greqinë qëndron pikërisht në ndarjen dhe përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve. “Kapiteni i anijes të peshkimit, Fran Ivanaj, u vra në ujërat midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, dhe në raste të tjera që peshkarexhat tona nuk afrohen dot pasi kufiri gjithmonë ka qenë me hamendje, nuk ka pasur koordinata të sakta, ku është apo ku nuk është”, tha Gerveni. I pyetur nëse ka pasur hartë pala shqiptare, të cilat u përdorën në përcaktimin e pikave që ndajnë ujërat e dy vendeve, ai theksoi se harta ekziston dhe në të njëjtën kohë është punuar me koordinata, pasi këtë mënyrë pune e pranon edhe konventa e nënshkruar si nga Shqipëria dhe Greqia. Për rreth 20 minuta, Gerveni iu përgjigj pretendimeve të ngritura pak ditë më parë nga kolonel Myslim Pasha, sipas të cilit nga kjo marrëveshje pala shqiptare ka humbur 354.4 km2 sipërfaqe ujore. Zv.shefi i shtabit të përgjithshëm tha se kjo diferencë vjen si pasojë e hedhjes gabim të koordinatave në hartë nga kolonel Pasha dhe një sërë gabimesh të tjera me gjirin e Sarandës, ishullin e Korfuzit, dhe ishullin Barketa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›