Suedia: Vizat mund të hiqen në 2010
BLEDAR HOTI
Heqja e vizave “Sch-engen” për Shqipërinë mund të bëhet në vitin 2010. Kështu deklaroi përfaqësuesja e konsullatës së Suedisë në Tiranë, Elizabet Stam gjatë seminarit të zhvilluar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) në bashkëpunim me Friedrich Ebert ( FES) mbi “Presidencën Suedeze të BE-së dhe implikimet e saj në procesin e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor”. “Heqja e vizave nuk është e mundur gjatë presidencës suedeze, por mendojmë se në vitin 2010 kjo mund të bëhet”, tha diplomatja suedeze. Nga ana tjetër, ajo pohoi se Suedia mendon që Shqipëria duhet të përfshihet si të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në këtë nismë. “Nuk besoj se Bashkimi Evropian do ta refuzojë një kërkesë të tillë për Shqipërinë”, theksoi Stam. Sipas saj, “Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina nuk janë përfshirë në propozimin e KE për të përfituar liberalizimin e vizave për shkak se këto vende duhet fillimisht të përmbushin kushtet e përcaktuara në Udhërrëfyes, për të përfituar më pas një vlerësim pozitiv nga Komisioni”. Në lidhje me propozimin që një grup europarlamentarësh kërkojnë pranimin në bllok të vendeve të Ballkanit si përfitues të liberalizimit të vizave, Stam shtoi se “një gjë e tillë është e parealizueshme, pasi nuk mund të realizohet një pranim në bllok”. Lidhur me aludimet se propozimet e KE ndikohen nga prania e besimit mysliman në këto vende, Stam deklaroi: “Këto supozime janë një mënyrë e thjeshtë për politikanët për të larguar përgjegjësinë nga mangësitë e punës së tyre duke drejtuar gishtin nga Brukseli. Kjo përqasje për çështje që lidhen me përkatësinë etnike dhe fetare në një rajon si Ballkani, jo vetëm që është e gabuar por edhe e rrezikshme. Kjo gjë është e patolerueshme”. “Ideja e sugjerimeve se propozimet Komisionit vijnë se janë antimyslimanë, është madje më absurde duke konsideruar miliona myslimanë që jetojnë në vendet anëtare të BE-së, por janë qytetarë të BE-së”, theksoi Stam. Diplomatja suedeze nënvizoi se “ashtu sikurse u evidentua dhe në progres për raportin e BE-së, Shqipërisë i duhet të punojë më shume për administratën publike, të luftojë korrupsionin, të shkëpusë varësinë e gjyqësorit nga politika. Duke u ndalur dhe tek zgjedhjet e 28 Qershorit, Stamm shtoi se edhe pse shënuan progres, ky u cilësua i pamjaftueshëm nga ndërkombëtarët.