“Investitorët italianë gati të vënë “bast” për Shqipërinë”
Fabiola Çela
Pavarësisht krizës financiare botërore, numri i investitorëve vendas dhe italianë në panairin e Fiera del Levante, tregon qartë se Shqipëria ngelet një pikësynim i leverdishëm biznesi. Këtë e pohon në intervistën e tij edhe Antonio Ciuffreda president i Fiera del Levante Servizi. “Fakti që kemi regjistruar një numër të mirë sipërmarrjesh italiane dhe në moment krize kanë vendosur të vinë në Tiranë do të thotë që duan të vënë ‘bast’ mbi Shqipërinë. Shqipëria është parë si një mundësi më e madhe për sipërmarrësit italianë”.
Prej sa vitesh organizohet ky panair në Shqipëri? A ka ndikuar kriza globale në pjesëmarrjen e investitorëve në panair?
Fiera del Levante është këtu prej 9 vjetësh ndërsa unë jam prej 2 vitesh këtu që e udhëheq. Nisur nga kjo mund të them se tashmë është një marrëdhënie e konsoliduar dhe këtë vit kemi dashur që të përmirësojmë edhe më tej, duke u fokusuar më shumë në disa sektorë strategjikë. Ambienti, Energjia e qëndrueshme dhe ndërtimet kompatibël janë sektorët që evidentohen tashmë nga të gjithë. Madje, edhe nga vetë presidenti Obama. Kjo për të ndërtuar në botë një zhvillim të ri ekonomik i aftë që të përballë edhe krizën në të cilën gjendemi tashmë. Është e dukshme që kriza ekonomike ndikon shumë nëpër panaire i gjithë sistem i panaireve sot vuan nga kriza. Në këtë situatë çdo sipërmarrës zgjedh sektorin se çfarë duhet të bëjë dhe panairin që i intereson më shumë. Në këtë këndvështrim fakti që kemi regjistruar një numër të mirë sipërmarrjesh italiane dhe në moment krize kanë vendosur të vijnë në Tiranë do të thotë që duan të vënë ‘bast’ mbi Shqipërinë. Shqipëria është parë si një mundësi më e madhe për sipërmarrësit italianë.
Sa është numri i kompanive që marrin pjesë në panair?
Kemi 50 kompani nga të cilat shqiptare janë 7. Panairi Fiera del Levante në Shqipëri është një panair italian në Tiranë. Ashtu siç dihet, në Shqipëri ka edhe subjekte të tjera që organizojnë panaire për sipërmarrësit shqiptarë. Detyra jonë si Fiera del Levante është të sjellim në Shqipëri sipërmarrje italiane dhe në këtë mënyrë të bëjmë të mundur që të kemi edhe takime me sipërmarrje shqiptare. Pikërisht prania e sipërmarrjeve shqiptare është një shenjë shumë e mirë dhe jo numri i kompanive që marrin pjesë në panair, por i mirëpresim. Këtij numri duhet t’i shtojmë edhe institutin për tregti të jashtme, që janë edhe 15 kompani të tjera dhe në total kemi 60 ndërmarrje në këtë panair. Vitin e kaluar ishin 36 në total. Ne zgjodhëm që të bëjmë diçka të specializuar dhe jo diçka të përgjithshme dhe morëm një përgjigje shumë të mirë, sepse u interesuan shoqëri të së njëjtit sektor dhe numri është më i madh.
Si e shikoni klimën e biznesit në Shqipëri? A është Shqipëria një vend tërheqës për investimet e huaja?
Kemi dëgjuar fjalë shumë inkurajuese nga kryeministri Sali Berisha dhe personalisht kam takuar edhe zv/kryeministrin Ilir Meta edhe nga ai kemi marrë fjalë të mira. Kemi pasur praninë e ministrit të Mjedisit dhe shumë personaliteteve të tjerë të politikës shqiptare që për ne është një shtysë shumë e mirë inkurajuese. Shqipëria ka bërë hapa gjigante gjatë këtyre viteve. Shumë sipërmarrës italianë të cilët kanë ardhur vite më parë tani kanë gjetur një Shqipëri tjetër. Më të mirë sigurisht. Ky është aspekti i parë mbështetja e qeverisë tek zhvillimi çka ka paraqitur element pozitiv. Por sigurisht ka edhe probleme. Tema e energjisë, tema e ambientit mbi atë që si mund ta përmirësojmë jetën që atyre njerëzve që përqendrohen nëpër qytete, të gjitha këto të jenë një interes i përbashkët. Pra për investitorët është e rëndësishme që të gjejnë sektorë mbi të cilët mund të investohet në Shqipëri. I referohem këtu faktit se si të bëhet uji gjithnjë e më shumë i pijshëm, sesi të menaxhohen mbetjet, energjia alternative që të ulë nivelet e ndotjes. Mendoj gjithashtu edhe efeciencën e energjisë në ndërtime, sektor që 15 vjet më parë as që mund të propozoheshin për t’u bërë në Shqipëri dhe në këtë sektor sot e kësaj dite sipërmarrësit tani që janë këtu thonë që gjejnë bashkëbisedues për këto sektorë. Kjo është përgjigjja kënaqësia që gjejnë sipërmarrësi tani këtu dhe kjo është prova që këta sipërmarrës na japin për të vazhduar bashkëpunim në këto sektor.
“Birra Korça” i dha jetë panairit
“Birra Korça” ishte e pranishme në panairin Fiera del Levante të organizuar në Tiranë. Shijen e birrës së parë shqiptare kanë mundur ta shijojnë jo vetëm shqiptarët, por edhe investitorët italianë që merrnin pjesë në këtë panair. “Na dha shumë kënaqësi që “Birra Korça” pranoi të merrte pjesë, që të gjithë sipërmarrësit tanë të provonin shijen e saj. Unë personalisht e vlerësova shumë cilësinë e “Birra Korça”. Ishte një shkëmbim reciprok, na krijoi komoditetin këtu që sipërmarrësit të provonin birrën. Duhet të falënderoj “Birra Korça”, si dhe të gjitha ata që na ndihmuan për të organizuar këtë panair”, u shpreh dje Antonio Ciuffreda president i Fiera del Levante Servizi. E certifikuar sipas standardeve ISO “Birra Korça” është tashmë e gati edhe për tregun e huaj. Cilësia e saj i hap rrugë për eksport në tregjet e huaja. “Mendoj që në këtë rast italianët patën rastin ta njohin, dhe Fiera del Levante është e gatshme që të japë mundësi të tjera edhe në bare, në zonën tonë atje. Certifikimi ISO është një element që e vërteton më shumë cilësinë e një produkti”, u shpreh Ciuffreda.