Rama: “Barrikadë” më 20 nëntor
Berat/Dilaver Xhelili
Kreu Socialist, Edi Rama, theksoi nga Berati se protestat e opozitës do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Duke konsideruar si të vjedhur votën e socialistëve, Rama deklaroi se lëvizja e radhës e opozitës do të jetë më 20 nëntor në kryeqytet, për t’u bërë siç tha ai, “barrikadë njerëzore përpara pushtetit”.
“Më 20 nëntor në Tiranë, për t’u bërë barrikadë njerëzore përballë pushtetit të manipulimit dhe korrupsionit elektoral. Më 20 nëntor në Tiranë për të parë votën tonë, për të hapur kutitë e votave tona, për të çliruar votën nga presioni i shtetit të bërë njësh me pushtetin”, theksoi Rama. Berati ishte stacioni i dytë i PS dhe partive që mbështetin PS-së, ku ra në sy dhe prezenca e Spartak Ngjelës dhe Nard Ndokës, të cilët dhe pse mbështetën protestën e Tiranës, nuk ishin fizikisht prezent. Sikurse në protestën e organizuar në kryeqytet, Rama konsideroi se mohimi i kërkesave të opozitës për të hapur kutitë e votimit, është vetëm frikë e Kryeministrit Berisha ndaj zbardhjes së të vërtetës së zgjedhjeve. “Berisha ka frikë nga e vërteta. Nëse Berisha do kërkojë të mbajë forcërisht në kuti vendimin e sovranit, ne do ta përballim atë me pushtetin e sovranit”, u shpreh Rama. Ndërkaq Rama ritheksoi bindjen e socialistëve për të mos u bërë pjesë e legjislativit, duke thënë se PS nuk do të bëhet bashkëfajtore në mbylljen e rrugës së zhvillimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme në vend. “Duke ardhur për të folur këtu bashkë me Gramozin, Valin, Pandin, deputetë e deputete të tjerë të Partisë Socialiste, me avokatin, Ndre Legisin, Mustafa Muçin, Skënderin, Paskalin e gjithë të tjerët, dikush më tha: ju lutem mos na tradhtoni, mos hyni në Parlament. Eshtë një kërkesë që e dëgjojmë kudo, e dëgjojmë përditë, e dëgjojmë në çdo bisedë me këdo që është i interesuar që kësaj maskarade zgjedhore, që zgjat prej 20 vjetësh, por më 28 qershor arriti kulmin, t’i jepet fund. Unë e përsëris përgjigjen time për të gjithë ju që e keni këtë merak: Ne nuk hyjmë dhe nuk do të hyjmë në Parlament për t’u bërë bashkëfajtorë në mbylljen e syve për të parë të vërtetën e zgjedhjeve dhe të vazhdojmë mbylljen e rrugëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për kushedi sa vjet të tjera”, u shpreh Rama para qytetarëve të Beratit. Kreu socialist, duke iu përgjigjur dhe atyre socialistëve, por dhe ndërkombëtarëve që kërkojnë hyrjen në Parlament të socialistëve, tha se qëllimi i kësaj beteje ka të bëjë me rivendosjen e ligjit. “Kush shqetësohet nga mungesa jonë në Parlament, duhet ta kuptojë siç e keni kuptuar ju, siç e kuptojnë të gjithë ata që vërtetë janë të shqetësuar për fatin e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri, se ne jemi edhe më të shqetësuar për mungesën tonë në Parlament, por boshllëkun e mungesës përpara ligjit nuk e mbush prania jonë në parlamentin e ligjit të shkelur, por vetëm beteja jonë pa kompromis për rivendosjen e ligjit në rrugën e protestave dhe të rezistencës demokratike”, tha Rama.