“Debati me Greqinë për kufirin”
adi shkembi
Nisja e negociatave për përcaktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë erdhi pasi qeveria shqiptare i kishte dhënë të drejtë një kompanie të huaj të kërkonte naftë në një territor të baraslarguar nga të dyja brigjet. Këtë e bëri të ditur dje ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Ferit Hoxha, i cili gjatë periudhës 2006-2009 ka qenë edhe kreu i palës negociatore shqiptare për kufirin detar. Në një debat publik të organizuar nga Universiteti Evropian i Tiranës, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Jashtme kanë sqaruar anën teknike dhe juridike të marrëveshjes.
Bisedimet
Tirana zyrtare ka kërkuar që në vitin 1993 përcaktimin e kufirit detar me Greqinë, një vit pasi të njëjtën gjë kishte bërë me Italinë. Më 9 prill të atij viti, gjatë takimit të komisionit miks shqiptaro- grek, nga pala shqiptare u kërkua të bëhej një marrëveshje për ujërat e përbashkët dhe shefin kontinental. Edhe ish-kryeministri Aleksandër Meksi e ngriti këtë problem në maj të vitit 1993, por sërish pala greke nuk reagoi. “Kërkesa e palës greke për t’u angazhuar në këtë ushtrim erdhi pas publikimit në një të përditshme shqiptare të një harte që përcaktonte vendin se ku do të kërkohej naftë në det, nga një kompani e huaj e licencuar nga qeveria shqiptare, Medoil. Me pretendimin se po kërkohej të shfrytëzohej në një territor, i cili sipas përllogaritjeve greke gjendej në një hapësirë detare që koincidonte, gjithmonë sipas tyre, me atë që do të ishte vija mediane, në qoftë se do të ishte ndarë kufiri, pala greke në mënyrë të vazhduar, në fillim me Ministrinë e Ekonomisë shqiptare dhe më vonë me Ministrinë e Punëve të Jashtme, ka kërkuar që meqenëse bëhet fjalë për një paqartësi që ishte në një farë mënyrë një lloj sigurie që kishin ata, të dy palët të angazhoheshin në negocimin e shefit kontinental dhe hapësirave përkatëse ujore”, theksoi kryenegociatori i palës shqiptare. Sipas Hoxhës, aktualisht ambasador i Shqipërisë në OKB, bisedimet u zhvilluan në periudhën 2006- 2009 dhe gjatë këtyre viteve ka pasur bisedime në Tiranë dhe Athinë, shkëmbim informacioni, por edhe verifikime, rikrahasime deri në përcaktimin e koordinatave të sakta. “Procesi i bisedimit nuk ka qenë as i lehtë dhe as diçka rutinë. Ekipi shqiptar ka funksionuar i mbledhur në permanencë, ka organizuar me dhjetëra e dhjetëra takime pune, ka pasur momente të vështira, ka pasur diskutime të shumta, shpesh herë debate me orë të tëra me palën greke”, kujton ish- kryenegociatori. Duke iu rikthyer legjislacionit vendas, Hoxha tha se nuk ka pasur një kufi të vjetër mes Shqipërisë dhe Greqisë, të njohur dhe të pranuar nga të dyja vendet. Një kufi i tillë, i hequr në mënyrë të njëanshme nga ish-qeveria komunist,e nuk njihej nga pala greke. Në fund diplomati shqiptar theksoi se nga kjo marrëveshje vendi ynë nuk ka humbur asnjë milimetër sipërfaqe ujore. “Pala shqiptare nuk ka falur asnjë milimetër nga sa i takon sipas gjeografisë dhe zbatimit të së drejtës ndërkombëtare ku është palë, nuk ka lënë asnjë centimetër dhe nuk ka dhuruar asnjë metër nga hapësira e saj detare. Ne nuk hymë në bisedime për të fituar më shumë se sa na takon, por vetëm për të ndarë dhe për ta bërë detin një pikëtakimi dhe jo një brez ndarës”, tha më tej kreu i negociatorëve të Tiranës.
Argumentet e kryenegociatorit Hoxha
n Në tre raste, më 9 prill 1993, në qershor 1993 dhe në maj të po atij viti pala shqiptare ka propozuar përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve, por pala greke nuk është përgjigjur.
n Legjislacioni shqiptar në evoluimin e tij në vite, nuk ka pasur asnjëherë një përcaktim të qartë përsa i përket kufirit detar me Greqinë.
n Përcaktimi se vija ndarëse në marrëveshje me Greqinë ka ndryshuar nga vija e vjetër e përcaktuar më parë nuk është e vërtetë sepse midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të republikës greke deri përmes kanalit të Korfuzit nuk ekzistojnë koordinata të sakta gjeografike.
n Në arkivin shtetëror shqiptar nuk ka asnjë përcaktim juridik dhe as gjeografik se ku ndodhet kjo vijë ndarëse përveç hartave ilustrative të hartuara nga institucionet por pa ndonjë efekt juridik apo shkencor.
n Llogaritja e koordinatave nuk fillon nga qyteti i Sarandës, por nga dy kepet që përcaktojnë gjirin e Sarandës.
n Në marrëveshje është përcaktuar që shteti bregdetar ushtron mbi detin territorial dhe shefin kontinental të drejta sovrane me qëllim shfrytëzimin dhe eksplorimin e burimeve të tij natyrore.
n Të gjitha dispozitat e parashikuara në marrëveshje respektojnë legjislacionin në fuqi, janë në përputhje me të drejtat dhe praktikat ndërkombëtare në çështjet e delimitimit.