Vlorë, Juridiku në protestë për sistemin
VLORE - Studentë të Juridikut zhvillojnë një tjetër protestë në ambientet e universitetit “Ismail Qemali”, sërish në lidhje me shqetësimin për diplomimin e tyre. Studentët e vitit të tretë të Fakultetit Juridik thanë se në fillim të studimeve të tyre janë njoftuar se do t’i kryenin ato në sistemin 4-vjeçar e tashmë ato ndërpriten krejt papritur. “Na kanë thënë se do jemi me sistemin 4-vjeçar dhe dy vitet e para i kemi bërë sipas këtij procesi. Nëse do të nisnim me Kartën e Bolonjës duhet të kishim realizuar 21 lëndë, duke i mbyllur dhe plotësuar kreditet. Ndërkohë që deri në vitin e dytë ne kemi mbyllur 25 lëndë. Pasi mbaruam vitin e parë dhe të dytë, nuk na bënë me dijeni nëse do të kishte ndryshime. Tani shefi i departamentit na thotë që shkollën e mbyllim këtë vit. Shqetësimi ynë është se ajo diplomë që mund të marrim është thjesht një certifikatë”. Ata thonë se kërkojnë t’u njihet sistemi 4-vjeçar dhe profili i tyre. “Në Vlorë nuk ka master dhe çdo zgjedhje që do na propozojnë, do të jetë thjesht jo një zgjidhje për ne. Në heshtje dhe pedagogët tanë, janë dakord me ne, pavarësisht se nuk na mbështesin dot publikisht”, thonë ata. q.b