Berat, dy pacientë të dyshuar me AH1N1
BERAT - Dy persona në gjendje të rëndë shëndetësore janë izoluar në Repartin Infektiv. Mjekët dyshojnë se janë prekur nga gripi i derrit, nisur nga simptomat e tyre dhe gjendja e rënduar gjatë këtyre ditë e. Shefi i Repartit Infektiv në spitalin Rajonal të Beratit, mjeku infeksionist Petraq Ceca pohon se pacientët paraqesin shenjat klinike të këtij virusi, që janë: etja, temperatura e lartë, dhimbje koke, dhimbje veshi, eshtrash, kollë, anoreksi dhe këputje trupore, ndërkohë që nga ekzaminimet radiologjike të bëra nga mjekët tek këta pacientë është evidentuar edhe pneumonia. Mjeku thotë se dhe pse dyshohet se janë të prekur nga virusi AH1N1, nuk kemi të bëjmë me komplikacione polmonare, pasi agresiviteti i virusit nuk është ende në gjendje të lartë. Pacientët janë, një grua 35-vjeçare nga lagjja “Donika Kastrioti” dhe një burrë 70 vjeç, nga lagjja “30-Vjetori”. Menjëherë pasi kanë mbërritur në spital ata janë izoluar në një dhomë të posaçme të Repartit Infektiv, ku po trajtohen nga mjekët me Tamiflu dhe Ampicilinë. Për këto raste janë dërguar analizat në Laboratorin e Tiranës, për të konstatuar nëse janë të prekur nga virusi i gripit të derrit apo jo. Sipas Cecës, në këtë repart janë trajtuar në muajin gusht dy raste të agravuara me grip, nënë e bir që vinin nga Italia. Fillimisht janë trajtuar nga mjekët si të prekur me grip sezonal, por analizat konfirmuan pas shërimit të tyre se ishin të prekur nga virusi AH1N1. Dhe në rastin e dy pacientëve, pavarësisht dyshimeve, nëse bëhet fjalë për gripin e derrave, ai sipas mjekëve nuk është në forma të rrezikshme për jetën e tyre. d.xh