Burrel, makina në lumë, katër në gjendje të rëndë
BURREL - Një mjet me targa të huaja ka përfunduar mbrëmë rreth orës 21.00 në ujërat e lumit të Matit, pak kilometra larg qytetit të Burrelit. Burime informacioni pranë Drejtorisë së Policisë të Qarkut Dibër thanë për gazetën "Panorama" se në numrin 129 është bërë një telefonatë ku thuhej se një mjet kishte dalë nga rruga dhe kishte përfunduar në lumë. Menjëherë efektivët e policisë së Burrelit janë vënë në lëvizje dhe kanë mbërritur në vendin e ngjarjes. Sipas policisë, mjeti me targa të huaja kishte rënë nga një lartësi të paktën 20 metra në afërsi të vendit të quajtur ura e Lusës. Mjeti tip "Benz" 190 drejtohej nga shtetasi Islam Coku 45 vjeç, ndërkaq në lumë kanë përfunduar dhe tre të rinjtë Festim Nela e Ardit Iskurti, 17 vjeç dhe Ervin Shehu 18, vjeç. Të katër këta persona po udhëtonin nga Burreli në drejtim të Peshkopisë. Efektivët e policisë kanë arritur të nxjerrin nga gremina katër të plagosurit dhe i ka dërguar ato në kohë rekord në spitalin e qytetit të Burrelit. Fillimisht gjendja e tyre dukej mjaft e rëndë, por mjekët e këtij spitali thanë se ato janë jashtë rrezikut për jetën. Policia sqaroi se një grup hetimor është ngritur që mbrëmë për të hetuar shkaqet e këtij aksidenti. h. p.