E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohen 150 kg kanabis, një në pranga

 

DELVINE – Aksidentohet me makinë, i zbulohet drogë. Burime të marra në rrugë operative treguan se një mjet me një sasi droge po lëvizte në drejtim të Delvinës, duke e çuar policinë në vendin ku mjeti me 150 kg kanabis kishte dalë nga aksi. Burime nga seksioni i luftës kundër krimit të organizuar në Komisariatin e Policisë së Rendit në Sarandë bëjnë të ditur se paraditen e së martës në vendin e quajtur Llakotinë, në aksin rrugor Delvinë – Muzinë një mjet kishte dalë nga rruga dhe kishte qëndruar në vend. Mjeti tip Mistbushi ishte me targa të Tiranës dhe drejtohej nga shtetasi Aranit Rustemi. Agjentë të krimit të organizuar të Sarandës menjëherë nisën kontrollin e tij. Nga kontrolli i ushtruar në mjet u gjet një sasi e konsiderueshme droge, e cila mendohet të jetë e llojit kanabis sativa. Droga ishte e presuar dhe e ndarë në katër çanta të zeza. Nga hetimet e mëtejshme u përcaktua se në të 4 çanta ndodhej një sasi prej 150 kg. Droga ishte e presuar dhe e paketuar në mënyrë perfekte, që në rast të ndonjë kontrolli të mundshëm të mos binte në sy se çfarë kishte brenda tyre. Prania e menjëhershme e policisë në vendin ku mjeti tip “Mistubishi” me targa të Tiranës kishte dalë nga rruga bëri që drejtuesi i këtij mjeti, banor i fshatit Erind në Gjirokastër, të mos kishte mundësi të largohej dot. I kapur në flagrancë ai ka pranuar se mjeti ishte i tij dhe se ishte i vetëm në makinë. Fillimisht ai është shprehur se kishte me vete rroba. Menjëherë policia nisi kontrollin e mjetit dhe bëri të mundur që në katër çantat e zeza të zbulohej drogë. Policia e Sarandës ka bërë menjëherë ndalimin e shtetasit Aranit Rustemi dhe për arsye hetimi nuk bën të ditur destinacionin e kësaj sasie droge dhe se kush është pritësi i saj. Sasia prej 150 kg, e kapur paraditen e së martës në aksin rrugor Delvinë – Sarandë, vjen pas sasisë prej rreth 300 kg që vinte nga Lazarati të kapur tre ditë më parë në vendin e quajtur Ura e Gajdarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›