E Shtunë, 31 Tetor 2026

Getoja ekonomike

Bashkim Osmani, drejtor gjeneral i kompanisë se lëngjeve Laberion nga Podujeva, e kujton me nostalgji kohën pas shpalljes se pavarësisë, kur kompanitë kosovare me lehtësi promovonin produktet e tyre në tregun e rajonit.

Aso kohe, pasi Kosova u bë shtet anëtarë i Marrëveshjes për Tregti të Lirë, CEFTA, përfitimi i kompanisë se tij mundësoi punësimin e 70 punëtorëve dhe realizim vjetor mbi 2 milionë euro. Mirëpo, vitin pasues, 2009, gjithçka ndryshoi. “Laberion” pësoi rënie të shitjes për rreth 50 për qind, pasi Serbia bllokoi të gjitha mallrat dhe mjetet transportuese që hynin nga Kosova për shkak të vulës së Republikës se Kosovës.

“Me 3 dhjetor 2008 na janë kthyer dy maune nga kufiri me Serbinë. I kam njoftuar ata të MTI-së dhe doganave por kjo çështje sot e asaj ditë nuk është zgjidhur”, tregon Osmani.
Edhe pas një viti, Serbia nuk lejon të hyjnë prodhimet “Made in Kosova”. Madje as për mallrat që kalojnë vetëm tranzit.

Klubi për politike të jashtme, në publikimin “Periskopi”, thotë se kjo gjendje është kështu, pasi institucionet e Kosovës nuk po bëjnë asnjë hap, duke pritur që problemi të zgjidhet nga faktori ndërkombëtar.
Ylli Hoxha, drejtor ekzekutiv në Klubin për politikë të jashtme, tha se ka një vit që Serbia e Bosnja bllokojnë produktet kosovare, dhe është koha që shteti më i ri t’ua kthejë në të njëjtën masë vendeve fqinjë.
“Vendosja e masave të reciprocitetit është vendim i vështirë, por duhet të merret. Kjo status-quo veçse e rëndon me shumë gjendjen”, tha Hoxha.

Në publikimin e këtij klubi, gjithashtu, thuhet se kompanive kosovare u mbetet të zbulojnë alternativa të kushtueshme për transportimin e mallrave të tyre, apo të heqin dorë në tërësi nga ideja e eksportit që destinacion e ka Serbinë.

“Deficiti tregtar i Kosovës është 1.7 miliardë euro, kurse vetëm në raport me Serbinë arrin shifrën prej 200 milionë euro në vit”, thuhet në publikim.

Në anën tjetër, sipas të dhënave për të hyrat nga dogana e Kosovës, në kohën derisa dokumentacioni kishte vulën e UNMIK-ut, Kosova brenda një viti kishte eksportuar për Serbi mallra në vlerë prej shtatë milionë euro, dhe katër milionë tjera në Bosnje.

Për hulumtuesit e Klubit për politike të jashtme është e paqartë se kush duhet ta zgjidhë këtë lëmsh. Nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë thonë se ndërkombëtaret duhet të bëjnë presion në sekretariatin e CEFTA-së dhe mbi Serbinë për ta pranuar Kosovën në këtë marrëveshje. Në anën tjetër, Komisioni Evropian, zgjidhjen e sheh tek veprimi i akorduar me UNMIK-un.
Megjithatë, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku shprehet optimistë dhe thotë se nuk përjashtohet as mundësia e masave të reciprocitetit.

“Nuk ka një qëndrim të prerë dhe bisedimet po vazhdojnë. Do të konsultohemi në maksimum me e zgjidh problemin me dialog, por nuk përjashtohet mundësia për aplikimin e masave reciproke”, tha për Express, Zharku.
Por derisa konsultimet vazhdojnë, mallrave nga Kosova që kanë për destinim Serbinë e Bosnjën, nuk u pranohen certifikatat e origjinës, për shkak të vulës.

“Prandaj kompanitë kosovare ngarkohen me tarifë të plotë doganore dhe si të tilla disfavorizohen, gjë që shkurajon ato për të eksportuar në këto vende”, thuhet në publikimin e Klubit për politike të jashtme. Ky klub për ta satën herë është duke paraqitur me shqetësim problemet që po dalin nga CEFTA.

Arsyeja bllokadës

Ndryshe, përfitimet e Kosovës nga CEFTA u cunguan kur Kuvendi i Kosovës, miratoi Kodin doganor që futi në përdorim edhe vulën e Kosovës. Që atëherë, çdo dokument valid, i vulosur nga çfarëdo institucioni kosovar dhe i nxjerrë nga Dogana e Kosovës, nuk pranohet as nga dogana e as nga Administrata tatimore serbe.
Ndërkaq, gjerat pritet të përkeqësohen edhe më shumë, pasi Serbia sivjet e kryeson CEFTA-në, ndërsa Kosova në mot rrezikon ta humbë kryesimin, përderisa nuk zgjidhet problemi i përfaqësimit në këtë marrëveshje.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›