Duke pritur verifikimin

Dikur krahas pishinave, fushave sportive dhe pompave, në trend ishte edhe ndërtimi i universiteteve private. Kishte vetëm dy kritere për të hapur një universitet – shumë para dhe një mësit të mirë në Ministrinë e Arsimit.
Dhe kjo duket se nuk ishte kurrfarë sfide për më shumë se 32 universitete private, në kohën kur ministër ishte Agim Veliu. Që nga kjo kohë, deri në funksionalizimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimi janë licencuar shumë programe, në kundërshtim me ligjin. E ato që nuk kanë pasur këtë fat, në mungesë të ndonjë mësiti të mirë, nuk janë licencuar fare.
Në këto raste, universitetet private kanë vazhduar të lëshojnë diploma. Pas një kohë shumë të shkurtër, kaosi në arsimin e lartë u bë i pakontrollueshëm për ministrin e atëhershëm Agim Veliu, që duket se vetë e kishte nxitur.
Si rrjedhojë, rreth 2000 studentë që kanë përfunduar në këto universitete, diplomat sot i mbajnë vetëm si rekuizitë. Ata u bënë viktima të një kaosi që mbretëronte në sistemin e arsimit të lartë. Diplomat e tyre nuk i pranonte as Universiteti i Prishtinës, e lërë më i Harvardit.
Vite me radhë ata nuk u zhvilluan më tepër. Nuk morën grada të tjera shkencore – ishin detyruar të kënaqen me një Bachelor, që pakkush e njeh. Fija e këtij lëmshi të shtjelltë, rrënjët i ka në periudhën kur brenda viteve Kosova me 2 milionë banorë kishte një universitet publik dhe mbi 32 privatë.
Steve Bristow, shef i Shërbimit Inspektues në Agjencinë Britanike për Akreditim, në një raport të publikuar rishtazi këtë periudhë e përkufizon në vetëm dy fjali - parregullsi historike. Përmes këtij raporti, ai sugjeron Ministrin e Arsimit që të pupuritin pak në këto gabime historike, që janë bërë nga paraardhësit e ministrit Enver Hoxhaj.
Sipas rekomandimeve, studentët që kanë përfunduar programe të palicencuara, apo të paakredituara, tash e tutje rekomandohet që t’i verifikojnë diplomat në MASHT.
“Në mungesë të një lehtësimi të tillë, MASHT-i duket se ka dy opsione. Të mos i verifikojë këto diploma ose t’i mbyllë sytë para parregullsisë historike dhe të verifikojë diplomat”, thuhet në rekomandimet e profesorit britanik, Bristow. Në këtë rast, vetë Bristow propozon që të respektohet rekomandimi i dytë, por me disa kushte.
Bristow i ka ndarë këto diploma në dy grupe. Diploma nga programe të paakredituara me licencë dhe diploma nga programe të paakredituara dhe pa licencë.
Në grupin e parë, ku programet kanë qenë të paakredituara, por kanë pasur licencë, Bristow rekomandon që studentëve t’iu verifikohet diploma nga MASHT-i. Megjithëkëtë, këto diploma nuk do të përmbajnë logon e Agjencisë Kosovare për Akreditim.
Ndërkaq, në grupin e dytë të diplomave që janë lëshuar për programe të palicencuara dhe të paakredituara, e që i përkasin periudhës para procesit të fundit të akreditimit, ai propozon t’iu verifikohen diplomat nga MASHT-i si një "certifikatë pjesëmarrjeje".
Në këtë mënyrë, studentët që janë viktimizuar për një kohë të gjatë do të kenë mundësi tani të konkurrojnë në tregun e lirë të punës, me një diplomë apo me një certifikatë. Që të dyja dëshmojnë se studentët janë aftësuar për drejtime të ndryshme, por që do të dallojnë nga diplomat, që janë lëshuar nga programe të akredituara dhe të licencuara.
Ndërkohë, Avdullah Alija, drejtor i Departamentit për Arsim të Lartë në MASHT, thotë për Express se raporti i profesorit Bristow do të jetë një platformë e përshtatshme për t’i trajtuar këto raste të ndjeshme.
Ai paralajmëron se shumë shpejt MASHT-i do të formojë një komision, i cili do t’i rekomandojë ministrit Hoxhaj që të trajtojë këto çështje, që janë përshkruar nga eksperti Bristow.
“Kjo do të ishte ajo vija e qartë në mes dy periudhave që janë karakterizuar me paqartësi dhe mosrespektim të rregullave që kanë të bëjnë me licencimin dhe akreditimin”, shton Alija. Sipas tij, brenda javëve do të emërohen anëtarët e këtij komisioni, në mënyrë që të trajtojnë çështjen.
Alija thotë se humbësit nga këto paqartësi që kanë ndodhur në të kaluarën kanë qenë studentët. “Por, qasja është që Ministria e Arsimit, ministrit Hoxhaj ia ka vënë si një obligim shtesë që të gjendet një zgjidhje në interes të studentëve”, vlerëson ai.
Por, këto nuk janë rekomandimet e vetme që ka bërë Steve Bristow, shef i Shërbimit Inspektues në Agjencinë Britanike për Akreditim, i cili e njeh shumë mirë sistemin e arsimit të lartë në Kosovë.
Ai po ashtu rekomandon MASHT-in që t’i rishikojë disa udhëzime administrative që i përkasin periudhës 2003-2004. Ai në këtë raport e vlerëson si shumë të rëndësishëm procesin e fundit të akreditimit në Kosovë.
Gjendja e programeve të akredituara:
- Para vitit 2008 kanë qenë rreth 21 mijë studentë
- Rreth 18 mijë kanë qenë në programe të licencuara (91%)
- Në vitin 2009, pas akreditimit nga AAK-ja, janë rreth 14 mijë e 413 studentë ose (72%) në programe të akredituara
- 4 mijë e 72 (20%) në programe të paakredituara
- 1 mijë e 643 (8%) ne programe të cilat nuk kanë qenë pjesë e procesit 2008/2009.