E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta e biseda

Derisa njërës protestë i vihet me zor kapaku, tjetra ia fillon. Edhe pse ndryshojnë sindikatat, të gjitha janë gati të njëjta në kërkesa. Kryesorja prej tyre është rritja e pagave, përmirësimi i kushteve të punës e të tjerat kanë të bëjnë me miratime ligjesh.

Kështu, deri të premten, çdo ditë, nga ora 10 deri në orën 11, në asnjë prej gjykatave dhe prokurorive të vendit nuk do të punohet.

Ismet Mehmeti, kryetar i Sindikatës së Judikaturës së Kosovës thotë për Express se ditën e hënë do të mblidhet Kryesia, e cila do të vendosë se cila do të jetë forma tjetër e protestës, në rast se me ta nuk merret askush.

“Deri më 31 mars, në rast se nuk do të ketë plotësim të kërkesave, atëherë mund të hyjmë në grevë”, thotë Mehmeti, i cili sqaron se kërkesë kryesore, Sindikata e Judikatures ka rritjen e pagave.

“Pagat tona duhet të jenë njësoj sa i ka legjislativi dhe ekzekutivi si dhe rrogat e vendeve të rajonit”, thotë Ismet Mehmeti, duke treguar se kanë përkrahjen e të gjithë punëtorëve të këtij sistemi.

Por vetëm pak metra larg ndërtesës së gjykatës, për më shumë se tri orë, në Ministrinë e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi ka pasur takim me përfaqësues të Sindikatës së Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Pas takimit, ministrja Kelmendi tha se të gjitha kërkesat e tyre janë të bazuara dhe pas vlerësimit një nga një të kërkesave të Sindikatës, konkluzioni ka qenë që ato të plotësohen.

“Të gjitha kërkesat e Shërbimit Korrektues të Kosovës, përkatësisht të sindikatës që janë në kompetencë ekskluzive të Ministrisë së Drejtësisë, e këto janë përmirësimi i kushteve të punës, siguria, uniformat apo pajisja me uniforma. MD-ja zotohet se ashtu siç i kishte planifikuar, do të përmbushen në tërësi”, tha ministrja Kelmendi.

Sa u përket kërkesave që nuk janë në kompetencë të kësaj ministrie, Kelmendi tha se merr përsipër personalisht që urgjentisht të diskutojë me instancat më të larta qeveritare.

Zenun Sadikaj, kryetar i Sindikatës, u shpreh pas takimit se janë të kënaqur duke sqaruar se e kanë ditur se disa nga pikat e kërkesave nuk janë menjëherë të realizueshme. “Kemi zotime nga ministrja dhe besoj që në të ardhmen do të bëjë angazhimin ashtu siç na ka premtuar që muaji shkurt do të jetë muaji i bisedimeve dhe negociatave, ndërsa në fillim të muajit mars do të marrim ndonjë përgjigje pozitive ose negative”, u shpreh Sadikaj. Këtë veprim ai e arsyetoi me faktin që t’i jepet kohë Ministrisë, nja afat të papërcaktuar që ata të punojnë. “Në muajin shkurt nuk do të protestojmë. Për momentin, për disa pika jemi të kënaqur e për të tjerat do të bisedojmë”, tha Zenun Sadikaj.

Disa ditë më parë kanë protestuar edhe mjekët, të cilëve duket se rrogat e tyre bruto do t’iu rriten për 30 për qind. Kështu ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë.

Ngritjen e pagave prej 30 për qind në sektorin e shëndetësisë, në Ministrinë e Shëndetësisë e shohin si pjesë e përmbushjes së zotimeve nga ana e Qeverisë së Kosovës për rritja të pagave.

Pagat në shëndetësi
Mjekët e niveleve të larta që kanë pagë prej 304 eurosh, do të kenë prej shkurtit pagë prej 395 eurosh Ata që e kanë pagën 300 euro, kalojnë në 391 euro. Stafi mjekësor me pagë prej 279 eurosh, kalon në 363 euro, kurse ata që kanë pagë prej 257 eurosh, kalojnë në 335 euro.

Ngritja përfshin të gjitha kategoritë dhe në këtë mes, edhe kategoritë e mesme dhe të ulëta. Kështu, punonjësit që kanë pagë prej 236 eurove, fitojnë mbi 70 euro ngritje dhe kalojnë në 307 euro. Punonjësit që kanë pagë prej 193 eurosh, kalojnë në 251, ata që kanë pagë prej 171 në 223 e kështu me radhë. Sipas disa përllogaritjeve të bëra midis Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe Ministrisë së Shëndetësisë, kjo ngritje do të bartë pas vetes për implementim një kosto prej gati 6 milionë eurove.

Protesta
Ditën e enjte, edhe Sindikata e Ekonomisë së Vogël dhe Zejtarisë së Kosovës bashkë me shoqatën e autotaksive të Prishtinës do të protestojnë. Protesta e tyre do të mbahet nga ora 11 deri në 12, para ndërtesës së Kuvendit Komunal në Prishtinë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›