Gëzhoja e “Kamberit”, ekspertizë ADN-je
Gëzhoja, e cila ka mbajtur peng hetimet për vdekjen e Gani Kamberit është dërguar në laboratorin e kriminalistikës në Itali. Gëzhojës do t’i kryhet ekspertiza e ADN-së e cila do të vërtetojë nëse në të ka pasur gjurmë apo jo. Sipas burimeve nga Prokuroria e Tiranës, e vetmja gjurmë e cila mund të ketë mbetur në gëzhojë, mund të gjendet nëpërmjet ekspertizës së ADN-së, e cila do të vërtetojë nëse ka shenja të ndonjë personi apo jo. Nga ana tjetër, kjo ekspertizë do japë zgjidhje hetimeve njëvjeçare të prokurorisë. Gëzhoja, e cila ishte dërguar për ekspertim nga ana e mjekësisë ligjore, ka rezultuar që të ketë pasur disa gjurmë për të cilat ky laborator ka vendosur që ta dërgojë në qendrën e kriminalistikës në Itali, për të pasur një përgjigje sa më të saktë. Ndërkohë që prokuroria është në pritje të kësaj ekspertize për të vendosur më pas nëse dosja e Gani Kamberit do të cilësohet vetëvrasje apo vrasje. Përreth një vit hetime, prokuroria dhe policia kanë pasur në duart e tyre vetëm disa prova të cilat përjashtonin mundësinë e vrasjes së Gani Kamberit. E vetmja arsye e cila të shpinte në vrasjen e tij ishte ekspertiza mjekoligjore e cila ishte kryer gabim dhe çoi më pas në zhvarrimin e Kamberit. Por edhe pas zhvarrimit policia vendosi ta klasifikonte vdekjen e viktimës si një vetëvrasje nga ana e tij. Në momentin që Prokuroria e Tiranës në bashkëpunim me policinë kishin vendosur që t’i jepnin një zgjidhje dosjes duke e klasifikuar përfundimisht atë, është bërë edhe një herë këqyrja e vendit të ngjarjes. Kanë qenë ekspertët kriminalistikë ata që kanë zbarkuar në Kodër Kashar dhe kanë bërë këqyrjen me pajisje metalkërkuese bashkëkohore të vendit të ngjarjes, ku tetorin e kaluar u gjend trupi i pajetë i Gani Kamberit. Burime nga prokuroria kanë bërë me dije se gëzhoja është dërguar për ekspertizë në Laboratorin Qendror Kriminalistik në Tiranë për të parë nëse ajo i përket apo jo armës tip pistolete, të gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale pranë trupit të viktimës. Sipas burimeve, nëse ekspertiza provon që gëzhoja nuk i përket kësaj arme, atëherë ka dyshime të forta se mund të kemi të bëjmë me një vrasje të shtetasit Gani Kamberi. Ndërkohë që në të kundërt dosja do të mbyllet si vetëvrasje. Përfundimi i këtij raporti do të dalë në ditët të vazhdim. Gani Kamberi, 45 vjeç, u gjend i vdekur me një plumb në pjesën e pasme të kokës, më 14 tetor të vitit 2007 buzë një përroi në komunën e Kasharit, afër banesës së tij. Viktimës i është gjetur pistoleta të cilën e kishte të vendosur në dorën e majtë, ndërsa plumbi i kishte hyrë në krahun e djathtë, mbrapa kohës. Ndërkohë që arsyeja e dytë e rihetimit kanë qenë deklarimet e të afërmve të viktimës. Prokurori i çështjes pasi ka rishikuar sërish ekspertizën mjekoligjore arriti në përfundim se Kamberi nuk është vetëvrarë, por dyshohet të jetë vrarë nga persona të cilët gjenden të lirë.