Reagimi; Unioni i Gazetarëve denoncon dhunën financiare mbi gazetarët
Unioni i Gazetarëve doli publikisht ditën e djeshme në përkrahje të komunitetit të gazetarëve, me qëllim për të denoncuar atë që e konsiderojmë si dhunë financiare mbi gazetarët. Brenda këtij muaji, Unioni i Gazetarëve ka dalë disa herë publikisht për të shprehur shqetësimet e tij ndaj situatës kritike sociale të gazetarëve. Unioni konstaton me shqetësim të madh se gjatë muajve të fundit janë shtuar vështirësitë financiare në shumicën e mediave më të rëndësishme të vendit. Për rrjedhojë, shumë gazetarë kanë mbetur pa punë dhe disa të tjerë rrezikohen të humbasin vendet e punës. Brenda këtij realiteti, spikasin edhe reagimet meskine të disa drejtuesve të lartë të administratës publike, të cilët në emër të një servilizmi politik, po penalizojnë familjarët dhe të afërmit e gazetarëve, që shquhen për një reagim të fuqishëm oponencial ndaj qeverisjes, Kryeministrit dhe politikës aktuale. Unioni i Gazetarëve shpreh shqetësimin e tij dhe kërkon sqarime prej autoriteteve që kanë pushuar nga puna motrën e gazetarit Mustafa Nano, motrën dhe bashkëshorten e gazetarit Andrea Stefani. “Nuk gjejmë asnjë arsye të shkruar për largimin e këtyre bashkëfamiljarëve dhe të afërmve të gazetarëve të shquar, të cilët kryesojnë sot mendimin kritik ndaj qeverisë. Këto janë akte që shprehin një hakmarrje për motive profesionale dhe që në thelbin e tyre lexohen si akt i pastër terrori financiar mbi gazetarët dhe familjet e tyre. Një pjesë tjetër gazetarësh me kontribut profesional përjetojnë aktualisht ankthin e mungesës së të ardhurave financiare dhe të spostimit për shkaqe të preferencave që burojnë nga tregu i zi i punës në mediat tona”, - vijon reagimi publik i Unionit të Gazetarëve. “Jemi sot para selisë së Televizionit Kombëtar “Arbëria” për të denoncuar sjelljen e turpshme me stafin e këtij televizioni. Kolegët tanë dhe krejt stafi i këtij televizioni kanë tre muaj që nuk kanë marrë pagat e tyre. Ata reaguan ndaj këtij arbitrariteti të shëmtuar dhe u mbështetën prej Unionit të Gazetarëve, por si kundërpërgjigje morën urdhrin për mbylljen e televizionit. Askush nuk i del zot kësaj gjendjeje dhe disa prej institucioneve të linjës bëjnë të pafuqishmin për t’i dhënë zgjidhje këtij konflikti financiar dhe social”, - vazhdon reagimi publik, duke ftuar të gjithë gazetarët që ditën e nesërme, në orën 18.00, të protestojnë para selisë së Parlamentit shqiptar në emër të këtij solidariteti për vetveten! “Në këtë tubim ne do t’i drejtohemi institucionit më të lartë ligjbërës të vendit për ta parë seriozisht situatën dhe gjendjen sociale të gazetarëve dhe mediave shqiptare. Konfirmojmë se në këtë tubim kemi edhe mbështetjen e organizatës qytetare “MJAFT””, - përfundon reagimin e tij Unioni i Gazetarëve.