E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Mosekstradimet nuk janë faji ynë, dosjet janë dorëzuar të plota”

02/03/2009  Ministri i Drejtësisë në konferencë për shtyp, shtron problematikën ligjore

TIRANË- Ekstradimet nga disa vende të ndryshme me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë të vendit tonë kanë qenë pika kryesore e një diskutimi të bërë dje me medien nga numri një i drejtësisë Enkelejd Alibeaj. Arratisja e Bashkim Drizës nga vendi ku mbahej për llogari të drejtësisë sonë në Uruguai, bëri që dje ministri Alibeja të shprehej i pakënaqur me mënyrën se si kanë proceduar vendet me të cilat ne kemi marrëveshje ekstradimi. Sipas ministrit Alibeaj, ka qenë mosrespektimi i marrëveshjes së ekstradimit nga vendi latin, ku Driza mbahej në arrest shtëpie, ai që solli largimin e të dënuarit për mashtrim nga drejtësia shqiptare me 16 vjet heqje lirie. “Ka dhe një lloj përgjegjësie të palës tjetër, të palës së kërkuar, e cila do të duhet të marrë dhe do të ketë përgjegjësi që këtë marrëdhënie barazie mes këtyre shteteve ta respektojë. Ne nuk mund të mbajmë përgjegjësi për sistemin ligjor apo gjyqësor të shteteve të tjera”, - tha ministri Alibeaj. Dje ai foli edhe për disa ekstradime të tjera të mbetura pezull e që lidhen me disa krerë të bandave kriminale. Kështu, ka mbetur ende pa u mbyllur çështja e ekstradimit të Aldo Bares, njëshin e bandës së Lushnjës. Ndërkohë që Enver Dondollaku ndodhet në Itali duke vuajtur një masë dënimi, Bare ndodhet ende në Ankara, vendi ku u arrestua për llogari të shtetit tonë. Për të gjitha ekstradimet e papërfunduara ministri u shpreh se ka mangësi dhe mosrespektim të ligjit nga vendet përkatëse. Ai deklaroi se ministria që drejton ka nisur në kohen e duhur të gjitha dosjet penale në ngarkim të personave të kërkuar, dhe kjo nuk ka lidhje me mosekstradimin apo pengesat ligjore. Driza, i cili akuzohet për mashtrimin e 304 240 shtetasve shqiptarë, u arratis nga vila e tij në periferi të Montevideos, ku qëndronte në arrest që prej 21 shtatorit të vitit të kaluar.

Përbarimi

Po dje në konferencë për shtyp ministri Alibeaj deklaroi se disa javë më parë Presidenti Bamir Topi ka shprehur konsideratë jo të mirë për shërbimin përmbarimor. Sipas Alibeajt, Presidenti është nxituar në deklaratat e tij. Numri një i Ministrisë së Drejtësisë, duke vlerësuar rendimentin e shërbimit përmbarimor për 2008-n, ka akuzuar Presidentin Topi se është nxituar në kritikat e tij për këtë drejtori. Alibeaj theksoi dje se shërbimi përmbarimor për vitin 2008 ka realizuar 90 % të ekzekutimit të titujve. Bëhet fjalë, sipas tij, për 29 zyra përmbarimore në të gjithë vendin. "Sulmime ose jo të bëra nga një institucion tjetër nga Presidenti, të cilat nuk i gjej me vend, unë thjesht po ju bëj me dije se shifrat janë këto", - përfundoi ministri i Drejtësisë.

Qëllimet e përmbarimit për 2008-n

Gjatë vitit 2008 janë bërë ndryshime legjislative, të cilat janë fokusuar në dy drejtime kryesore: krijimin e bazës ligjore për liberalizimin dhe privatizimin e shërbimit përmbarimor, rritjen e kapaciteteve profesionale dhe mundësive dhe instrumenteve ligjore për shërbimin përmbarimor për arritjen e një procesi ekzekutimi të shpejtë, të plotë dhe të menjëhershëm. Përgjatë vitit 2008 zyrat e përmbarimit gjyqësor kanë ekzekutuar tituj ekzekutivë, duke vjelë një shumë prej 644 335 444 lekë (rreth 6 milionë euro).Aktualisht janë në përfundim dhe pritet të miratohen aktet nënligjore për përzgjedhjen në bazë konkurrimi dhe licencimin e zyrave të para të përmbaruesve privatë.

Realizimet në janar-dhjetor 2008

18512 çështje janë regjistruar për ekzekutim.

6864 çështje në ekzekutim brenda afateve procedurale.

9386 çështjeve u është dhënë zgjidhje ligjore.

5806 çështje janë ekzekutuar totalisht.

2470 çështje janë pushuar.

1050 çështje të pezulluara me vendim gjykate.

302 çështje të refuzuara.

767 çështje të transferuara.

60 çështje janë pushuar për shkak të shfuqizimit të urdhrit ekzekutiv.

1193 çështje në ekzekutim i kanë kaluar afatet e ekzekutimit.

90 % e çështjeve u është dhënë zgjidhje ligjore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›