Krimeve të Rënda, sekuestro pasurive të 11 të pandehurve
Kërkesat për llogari bankare, makina e pasuri të paluajtshme. Pjesë e listës së emrave edhe personazhe të njohur të krimit
Laureta Rryçi
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar sekuestrimin e pasurive për 11 të pandehur gjatë vitit që shkoi. Burime pranë këtij institucioni, pak ditë pas analizës vjetore, bëjnë publike kërkesat e tyre për të pandehur që akuzohen për vepra të ndryshme penale. Të njëjtat burime shpjegojnë se vetëm për një pjesë prej tyre gjykata është shprehur në vendim përfundimtar, ndërsa pjesa tjetër vazhdon të shqyrtohet. Shifrat flasin për llogari bankare të sekuestruara, makina luksoze si dhe pasuri të paluajtshme. Në listë bëjnë pjesë personazhe jo pak të njohur për publikun si Aldo Bare apo dhe Lulëzim Berisha.
Kërkesat
Prokuroria e Krimeve të Rënda, në punën e saj, krahas hetimeve për grupet dhe eksponentët kriminalë, i ka kushtuar një rëndësi të veçantë edhe verifikimit të pronave dhe aseteve të tyre, që mendohet se kanë origjinë të dyshimtë financiare. Burime zyrtare nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bënë të ditur se vetëm për vitin që shkoi kjo Prokurori ka depozituar në gjykatë 11 kërkesa për sekuestrim pronash, asetesh, trojesh, llogari bankare etj., që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari të paligjshme. Në listën e individëve që pretendohet se u përkasin këto pasuri, ku shumë prej tyre janë jo vetëm të arrestuar, por edhe në kërkim ndërkombëtar, gjendet edhe emri i Alfred Shkurtit, i njohur ndryshe Aldo Bare, i cili akuzohet si kreu i bandës së Lushnjës.
Gjykata
Sipas burimeve zyrtare, mbi bazën e kërkesave të prokurorisë, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e sekuestros paraprake për llogari që kapin vlerën 134 mijë euro, 34 milionë lekë, troje dhe tokë bujqësore me sipërfaqe 43 mijë metra katrorë, në qytete të ndryshme të vendit. Gjithashtu sekuestro është vendosur edhe për katër apartamente dhe tri garazhe në Tiranë e Durrës, ndërtime tremijë metra katrorë, hotel pesëkatësh në Vlorë, një lokal në qytetin e Laçit etj.
Të pandehurit, të cilëve u është kërkuar sekuestrimi i pasurive për 2007-n
Aldo Bare,
i akuzuar për “drejtim të organizatës kriminale", “vrasje”, "shkatërrim të pronës me zjarr", "dhunim të varreve", "vjedhje me dhunë në bashkëpunim". Prokuroria kërkon: sekuestrimin e shoqërisë "Laguna Karavasta", sh.p.k., me një sipërfaqe toke prej 11 792 metra katrorë në Divjakë, Lushnjë, së bashku me 1216 metra katrorë, ku përfshihen ndërtesat dhe pajisjet brenda ndërtesave, por edhe barkat e peshkimit, rrjetat dhe dajlanët", sekuestrimin e një sipërfaqe prej 470 metrash katrorë në lagjen, "Çlirimi", Lushnjë, ku përfshihen disa objekte si magazina, garazh për makina etj.
Aleksandër Bojko,
i akuzuar për "trafik të lëndëve narkotike".
Prokuroria kërkon: sekuestrimin e një hoteli me sipërfaqe 470 metra katrorë, duke përfshirë truallin dhe të gjitha pajisjet brenda tij, te Uji i ftohtë, Vlorë.
Avni Avduli,
i akuzuar "për trafik të femrave për qëllime prostitucioni". Prokuroria kërkon: sekuestrimin e dy autoveturave, njëra tip "Volkswagen" dhe tjetra "Benz", si dhe një llogari bankare në vlerën e 6 milionë lekëve.
Hysni Sokolaj,
nën hetim për "trafik të femrave për qëllime prostitucioni". Prokuroria kërkon: sekuestrimin paraprak të një llogarie bankare në emër të të atit të Sokolajt, në vlerën 8 494 718 lekë, si dhe të një autoveture tip "Mercedez-Benz".
Besnik Braka,
i akuzuar për "trafik të lëndëve narkotike".
Prokuroria kërkon: sekuestrimin e dy automjeteve, njëra tip "Jeep", ndërsa tjera "Nissan Patrol", një rimorkioje tip "Barteli", një trajleri Semi-Rimorko si dhe llogarisë bankare në vlerën e 20936 USD.
Besnik Çobo,
i akuzuar për "trafik të lëndëve narkotike".
Prokuroria kërkon: sekuestro të dy lokaleve, njëri me sipërfaqe 175 metra katrorë në Tiranë dhe tjetri me sipërfaqe 49.2 metra katrorë në qytetin e Laçit, të një llogarie në vlerën 301 265 26 lekë si dhe shumën 5 mijë euro.
Jani Tafa,
i akuzuar për "trafik të femrave për qëllime prostitucioni". Prokuroria kërkon: sekuestrimin e një autoveture tip "Mercedez-Benz".
Blendi Balliu,
i akuzuar për "trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike". Prokuroria kërkon: sekuestrimin e dy apartamenteve banimi, njëri prej tyre me sipërfaqe 101,35 metra katrorë së bashku me pajisjet, në rrugën "Sami Frashëri", Tiranë, dhe një tjetër me sipërfaqe 75.3 metra katrorë në Golem, Kavajë, si dhe një shumë prej 70 mijë eurosh.
Ilir Koçiaj,
i akuzuar për "trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike". Prokuroria kërkon: sekuestron e një autoveture tip "Mercedez-Benz", me targa TR 7592 L, si dhe disa llogari bankare, konkretisht 5.5 milionë lekë dhe 29 mijë dollarëve.
13 Shkurt 2008