Maqedonia do të abstenojë për nismën serbe në OKB
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të votojë sot për nismën serbe dhe Maqedonia ka vendosur të abstenojë. Beogradi kërkon që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë vlerësimin e saj në lidhje me legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës.Mediat maqedonase kanë cituar burime diplomatike nga ministria e Jashtme e Maqedonisë, të cilat kanë thënë se në këtë çështje Maqedonia dëshiron të mbajë një qëndrim neutral pasi një votë pro ose kundër kësaj inisiative do të prishte neutralitetin. “Maqedonia është ndryshe nga vendet e tjera në rajon, pasi politika jonë e jashtme ka qenë gjithmonë e paqme dhe racionale, dhe nuk kemi nxituar kurrë në marrjen e ndonjë vendimi, por kemi marrë vendime që janë në interes dhe në të mirë të vendit tonë. Ne do të veprojmë pikërisht në këtë drejtim”,- thotë zëvëndësministri për integrimin europian, Ivica Bocevski. Ai shtoi se Maqedonia nuk do të influencohet në vendimin e saj as nga Serbia dhe as nga Kosova. Maqedonia ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet, pavarësisht presioneve të kohëve të fundit nga popullsia shqiptare në Maqedoni. Javën e kaluar presidenti maqedonas Branko Cërvenkovski u shpreh se qeveria e tij shumë shpejt do të deklaronte njohjen e pavarësisë së Kosovës.
8 Tetor 2008