E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtinë, Gejts: “Ushtarët amerikanë deri në vitin 2009”



Trupat amerikane do të qëndrojnë në Kosovë deri në fund të vitit 2009. Kështu deklaroi Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts gjatë vizitës së zhvilluar në Prishtinë. Në takimin me krerët më të lartë të shtetit Gejts mohoi se vizita e tij ishte një mesazh për Rusinë në prag të debatit që u mbajt në Asamblenë e OKB-së për nismën serbe kundër Kosovës. Gejts theksoi se qëllimi i vizitës së tij ishte takimi me ushtarakët amerikanë që ndodhen me mision në Kosovë. Sekretari amerikan nënvizoi gjithashtu mbështetjen për operacionet paqeruajtëse të NATO-s.
Vizita e tij në Prishtinë zgjati vetëm disa orë dhe konsiderohet si vizita e zyrtarit më të lartë amerikan që ka ardhur në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë. Asnjë sekretar amerikan i Mbrojtjes nuk ka qenë në Kosovë që nga viti 2001. I shoqëruar nga gazetarët, Gejts hodhi poshtë sugjerimet se udhëtimi nënkuptonte dërgimin e një sinjali për Rusinë. Rusia e ka kundështuar pavarësinë e Kosovës dhe ndodhet në konflikt me Perëndimin pas zhvillimit të një lufte me Gjeorgjinë në muajin gusht. Që atëherë, Rusia ka njohur rajonet e shkëputura gjeorgjiane të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut si republika të pavarura, një veprim që shihet gjerësisht si një përgjigje për qëndrimin amerikan ndaj Kosovës. “Unë nuk e konsideroj Kosovës si oborrin e pasëm të Rusisë”,- tha Gejts, kur u pyet se si do t’i përgjigjej Rusia vizitës së tij. “Qëllimi im primar i udhëtimit në Kosovë është të vizitoj trupat amerikane në Kosovë. Rotacioni i ardhshëm mendoj se do të na çojë deri në nëntor të vitit të ardhshëm”,- deklaroi Gejts. Forca shumëkombëshe e NATO-s në Kosovë (KFOR) prej 16.000 trupash, përfshin edhe një kontigjent prej 1.600 ushtarësh amerikanë. I pyetur për mundësinë e ndarjes së Kosovës Gejts tha se ndarja nuk ishte pjesë e zgjidhjes. “Nuk besoj që ndarja është pjesë e zgjidhjes tani apo në të ardhmen. Shtetet e Bashkuara mbështesin integritetin territorial të Kosovës”,- tha sekretari amerikan i Mbrojtjes. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministri Hashim Thaçi shprehën mirënjohjen e tyre për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara kanë për Kosovën dhe popullin e saj. Ata folën edhe për procesin e njohjes së shtetit të Kosovës, veçanërisht për zhvillimet e fundit në këtë drejtim nga Maqedonia dhe Mali i Zi, duke thënë se mirëpresin sinjalet pozitive që janë dhënë.

8 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›