E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Manipulimi i zgjedhjeve ka qenë shumë i sofistikuar”

28/10/2009  Rama jep arsyet se përse kërkon hetim parlamentar për 28 qershorin

Në gjykimin e kryetarit të PS-së, Edi Rama, bërja publike e fakteve që sollën manipulimin e zgjedhjeve të përgjithshme të 2009-s është e vështirë . E kjo për shkak se manipulimi u krye në një mënyrë mjaft të sofistikuar. Ky ishte konstatimi më i fundit i ardhur nga kreu socialist Edi Rama lidhur me procesin zgjedhor. Kështu, gjatë një interviste televizive kryetari i selisë rozë në një paralele të hequr mes zgjedhjeve parlamentare të këtij vitit dhe atyre të 1996-s veçoi pikërisht mënyrën se si u krye manipulimi. Sipas tij, sofistikimi dhe kamuflimi i deformimeve në këtë proces fsheh çdo shkelje. Pikërisht për këtë arsye socialistët kërkojnë hetim parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit, si të vetmen rrugë për të vënë drejtësi. “Në rast se në zgjedhjet e 96-ës u zbatua një praktikë manipulimi krejtësisht e zhveshur nga çdo lloj sofistikimi, çdo gjë u bë në dritë të diellit, ku pati rrahje spektakolare të opozitës, ndërkohë që në 28 qershor pati një proces të sofistikuar të deformimit të vullnetit të popullit. Pra, krahasimi bëhet mes një krimi ordiner në kuptimin e gjithë elementeve të tij më 96-n dhe një krimi mafioz në kuptimin e sofistikimit dhe të kamuflimit në të gjithë kuptimin e tij më 2009-n”, - vuri në dukje Rama gjatë fjalës së tij. Ndërkohë në vijim të kësaj çështje, pavarësisht të gjitha analizave që mund të bëhen në shumë aspekte, thelbi ka të bëjë me deformim të vullnetit të zgjedhësve shqiptarë. Sipas tij, një proces i tillë manipulimi e deformimi ka si aktor po të njëjtin në të dyja garat, që është Sali Berisha dhe makina e tij e shtetit vënë në dispozicion të këtij deformimi. Madje, parë dhe analizuar në një formë të tillë kreu socialist shprehu besimin e tij se mesazhi i lëshuar nga PS-ja për nevojën e ndryshimit të madh në vend është përthithur njësoj në të gjithë vendin. “Nuk e ndaj Shqipërinë në rurale dhe urbane dhe, nëse kemi një dallim në numrin e votave nga zona urbane në rurale, ka të bëjë me goditjen që është bërë ndaj procesit të votimit, pikërisht në ato zona ku influenca dhe presioni i shtetit ka qenë shumë herë më i madh. Unë nuk besoj se Tirana, që e votoi PS-në, apo qendrat urbane e kuptuan mesazhin e ndryshimit më lehtë sesa zonat rurale”, - deklaroi Rama, duke mbrojtur në këtë mënyrë mënyrën se si e konceptoi të bërin fushatë elektorale kampi rozë. Po kështu Rama mbrojti me bindje dhe me forcë mënyrën se si u ideua dhe u ngrit ekipi që do të përfaqësonte Partinë Socialiste në garën elektorale të 28 qershorit. “Të gjitha analizat mbi një çështje të tillë janë të deformuara, pasi rezultati nuk është real, por i një deformimi të shkaktuar nga një makineri e tërë shtetërore e bërë njësh me pushtetin”, - vlerësoi Rama lidhur me një çështje të tillë. Gjithashtu dhe gjatë kësaj interviste Rama deklaroi prerë qëndrimin e PS-së për të mos hequr dorë nga kërkesa për transparencë të zgjedhjeve të 28 qershorit. “Zgjedhjet e 28 qershorit dolën jashtë standardeve dhe rezultati nuk përputhet me vullnetin e zgjedhësve, PS-ja është jashtë Kuvendit dhe kërkon me çdo kusht të rivendoset dinjiteti i parlamentit”, - u shpreh Rama. Madje, kreu i PS-së nxitoi të risillte në kujtesë qëndrimin e tij mbi procesin zgjedhor që në ditën e votimeve. “Kam bërë vetëm një deklaratë ditën e zgjedhjeve dhe kam thënë që zgjedhjet kanë një pjesë të parë, e cila sa i takon ecurisë së tij, konsiderohej pozitive, dhe e dyta që rezultoi si një akt dramatik në gjithë procesin zgjedhor e që u mbyll me një deformim spektakël të rezultatit të këtyre zgjedhjeve”, - nënvizoi Rama gjatë fjalës së tij.

Qëndrimi

Kryeministri është larg së qeni zot i këtij vendi, aq më tepër zot i këtij populli. Ai është një funksionar përfaqësues i një pjese, që është i akuzuari kryesor i deformimit të këtij procesi dhe nuk është në pozita të vendosë kushte. Koha nuk punon për kryeministrin dhe opozita nuk ka ndër mend t’i nënshtrohet logjikës dhe vullnetit të tij, por do të vazhdojmë këtë betejë, që është një betejë për liri dhe të drejta, që janë të panegociueshme.

Ndërkombëtarët

“Ndërkombëtarët nuk janë për të zgjidhur problemet tona, por për të dhënë kontributin e tyre dhe këshillat e tyre për mënyrën se si zgjidhen problemet. Ndërkohë që ne jemi këtu për të zgjedhur problemin tonë dhe të bëjmë detyrën tonë, gjë që nuk mund të na e zgjidhin ndërkombëtarët, ndaj nuk mund të vonojmë të bëjmë ndarjen me një traditë mezerabël të tillë. Varet nga ne se sa shpejt e duam Shqipërinë evropiane.”

Kundërshtarët

“Më lejoni që të flas për çështje të rëndësishme, për sa i përket emërtimeve që iu vendosën për lehtësi komunikimi nga mediet apo shfaqjeve të ndryshme të individëve. Është shumë e qartë se çfarë nënkupton vendimi për të bojkotuar Kuvendin për të gjithë anëtarët e grupit parlamentar. Rregullat e PS-së e parashikojnë qartë shkeljen e tij. Megjithatë, theksoj se nuk përbëjnë asnjë arsye për t’i karakterizuar si ‘ne’ apo ‘ata’.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›