E Shtunë, 31 Tetor 2026

Giggs e Scholes, më të mirët në histori

Sir Alex Ferguson thotë se Ryan Giggs e Paul Scholes janë futbollistët më të mirë që ka pasur ndonjëherë Manchester Unitedi, pasi dy veteranët shënuan në fitoren e United ndaj Norwichit, duke i bërë presion liderit të Premierligës, Manchester City.

Giggs e shënoi golin e fitores në minutat shtesë të ndeshjes së tij të 900-të në fanellën e ‘Djajve të Kuq’, ndërsa Scholes ia kishte dhënë ekipit nga Old Trafford epërsinë e hershme, para se vendësit të barazonin me Grant Holt.

“Duke e shikuar karrierën që ka pasur Ryan, ta shënonte golin e fitores në lojën shtesë dhe në goditjen e fundit, mendoj se e ka merituar këtë. Ishte një harkim i shkëlqyeshëm i Ashley Young. Por, më duhet të them se ishim me fat”, deklaroi trajneri skocez.

Ai e lavdëroi edhe veteranin Paul Scholes, i cili muaj më parë u rikthye nga pensionimi për ta ndihmuar ekipin, që kishte shumë mungesa në mesfushë.

“Më falni, e harrova edhe Scholesin, i cili e shënoi golin e parë. Ai dhe Giggs janë dy futbollistët më të mirë që ka pasur ndonjëherë Manchester Unitedi”, shprehet i bindur Fergie.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›