Gigs rinovon, Skols në dilemë
Mançester Junajtid është përfshirë nga rinovimi i gardës së vjetër, ndonëse disa ndjehen të lodhur nga ritmi i lartë në fushat angleze të futbollit
Mesfushori i Mançester Junajtid, Pol Skols thotë se ende nuk është i vendosur nëse do të vazhdojë të luajë edhe për një vit. Shoku i skuadrës së Skols, Rajan Gigs ka deklaruar se do ta nënshkruajë kontratën edhe për një vit me ekipin nga “Old Trafford”-i, përkundër faktit se i ka lënë 37 vitet. Të dy lojtarët ishin pjesë e “Djajve të Kuq” të martën mbrëma, në fitoren dramatike ndaj Blekpulit, por Skols u largua pas problemeve në ijë. “Unë nuk e di se çka do të bëj vitin tjetër”, tha Skols për televizionin e klubit, MUTV. “Unë vetëm dua të përqëdnrohem dhe të luaj këtë sezon. Kam dëshirë të pushoj 1-2 javë, por isha jashtë fushe për një kohë më të gjatë, kjo nuk është ideale. Mirëpo, unë shpresoj që në javët e ardhshme ta gjej formën më të mirë”, vazhdoi ish lojtari i kombëtares angleze. 36-vjeçari po e shijon momentin e mirë të ekipit të tij. Ai bën apel që shokët e tij të vazhdojnë me ritëm të njëjtë, për ta fituar titullin e kampionit. “Do të luajmë në transfertë me ekipe si Liverpul, Arsenal e Çelsi. Ne jemi në një vend dhe në një moment të mirë aktualisht. Duhet ta vazhdojmë këtë rrugë”, shtoi ai. Menaxheri i Blekpulit, Jan Hollouej e ka lavdëruar veteranin e Mançester Junajtidi, pasi Skols ishte protagonist me një asit për Berbatovin, gol që solli fitoren e çmuar për skuadrën e Fergusonit. “Pol Skols është njëri prej lojtarëve të përhershëm për pasimin vendimtar të topit. Kur pason ai, topi shkon aty ku dëshiron ai. Gjithmonë e kam dashur këtë lojtar për këtë cilësi. Kam luajtur kundër tij 1-2 herë dhe ai është një gjeni absolut. Ai është model për çdokënd që dëshiron të luajë futboll. Është kënaqësi ta shohësh. Shpresoj që të luajë ende”, theksoi Hollouej.
Gigs: Ferguson do qëndrojë dhe 5 vjet
Rajan Gigs beson se Sër Aleks Ferguson mund të vazhdojë edhe për pesë vite tjera si menaxher i Mançester Junajtidit. Strategu skocez është në drejtim e Djajve të Kuq nga viti 1986, ndërsa vazhdon të ketë pasion të vazhdueshëm për futbollin. Gjatë një interviste me revistën Sky TV, Gigs tha: “Nuk e shoh Fergusonin të largohet në të ardhmen e afërt. Ai do të vazhdojë së paku edhe pesë vite tjera. Dëshira e tij për punë vetëm sa vjen e forcohet”. Edhe Gigs synon të ndjekë gjurmët e Fergusonit dhe të bëhet menaxher pas përfundimit të karrierës si futbollist.
Xhill: Junajtid vlen dy miliardë dollarë
Sipas shefit ekzekutiv të Mançester Junajtid, David Xhill, klubi nga “Old Trafford” peshon jo pak, por plot dy miliardë dollarë. “Forbes thotë se ne jemi institucioni sportiv më i vlefshëm në botë…dhe kjo në krahasim me gjigantët e tjerë. Këtu përfshij edhe Dallas Kaubojs. Është një vlerë prej 2 miliardë dollarësh. Mendoj se ne vlejmë shumë para. Është një brend i madh. Futbolli po zgjerohet. Botërori po zgjerohet, Kampionatet Europiane po zgjerohen. Liga e Kampionëve po zgjerohet. Liga Premier po zgjerohet dhe kjo është ngritje e sportit. Dhe nëse jemi një prej klubeve lidere, atëherë ne sigurisht se do të përfitojmë shumë”, u shpreh Xhill.