Gjakmarrja, 120 familje të ngujuara në të gjithë vendin
Njëqind e njëzet familje janë të ngujuara në vendin tonë si pasojë e gjakmarrjes. Zonat e veriut të Shqipërisë janë më të prekurat nga ky fenomen, ku vetëm në qytetit e Shkodrës janë të ngujuara 60 familje. Të dhënat për fenomenin e gjakmarrjes në vendin tonë janë publikuar dje gjatë konferencës “Gjakmarrja vazhdon”, e organizuar nga Komisioni Drejtësi dhe Paqe dhe Karitasi. Sipas të dhënave, shumë fëmijë, e në veçanti ata të gjinisë mashkullore, janë të detyruar që të braktisin shkollat, për arsye të gjakmarrjes. Të gjithë këta fëmijë janë të detyruar të qëndrojnë Brenda, ashtu si prindërit e tyre nga frika e gjakmarrjes. Pavarësisht se strukturat shtetërore dhe organizata të ndryshme po merren me zhdukjen e këtij fenomeni, çështja ende mbetet e pazgjidhur dhe e fortë në zonat e veriut të vendit. Në këtë rast nuk përjashtohen edhe familjet që janë larguar nga zonat e tyre dhe për shkak të kanunit qëndrojnë të ngujuara edhe në Tiranë, apo qytete të tjera të vendit.
11 Dhjetor 2009