E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjakmarrja, Topi: Të funksionojë shteti i së drejtës

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, evidenton problemin e gjakmarrjes në Shqipëri si një anomali në fazën integruese ku ndodhet vendi. Sipas tij, nëse nuk parandalohet, gjakmarrja mund të ndikojë negativisht për shqiptarët në momentet më kyçe për ta, proceset integruese të vendit. Në kushte të tilla, kreu i shtetit apeloi dje për frenimin e këtij fenomeni, duke kërkuar dominimin e shtetit të së drejtës. Në kushte të tilla, z. Topi kërkoi gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit Koordinues në Luftën kundër Gjakmarrjes, hartimin e një strategjie kombëtare kundër këtij fenomeni. Në këtë takim, të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, Presidenti Topi vuri në dukje rëndësinë që ka funksionimi i këtij Këshilli për të vënë në punë të gjitha strukturat shtetërore për një përfshirje jo thjesht ligjore në luftën kundër këtij fenomeni mjaft kompleks, që përbën një anomali në fazën integruese ku ndodhet vendi. Kryetari i shtetit nënvizoi qëllimin e punës së këtij Këshilli, pikërisht evidentimin e drejtimeve për hartimin e strategjisë kombëtare për luftën kundër gjakmarrjes, përcaktimin e detyrave për organet e qeverisjes qendrore dhe asaj vendore si dhe nxitjen e koordinimit e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe organizatave jofitimprurëse kundër fenomenit të gjakmarrjes. Presidenti Topi nënvizoi se edhe për fenomenin e gjakmarrjes, dominues duhet të jetë shteti i së drejtës dhe veprimi i koordinuar i ligjit kudo e ndaj kujtdo, për çdo fenomen të kriminalitetit. “Pa një veprim të koordinuar dhe me afate të përcaktuara, që përfshin dhe kërkon kontributin e të gjitha institucioneve, Kuvendit, Këshillit të Ministrave, organeve të sigurisë kombëtare, pushtetit vendor dhe drejtësisë, lufta kundër gjakmarrjes nuk mund të ketë sukses”, - vërejti Presidenti i Republikës. Pjesëmarrësit në takim, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, prokurorja e përgjithshme, Ina Rama, zëvendëskryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, zëvendësministri i Drejtësisë, Viktor Gumi, kryetari i Komisionit parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Tritan Shehu dhe kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, pasi bënë një paraqitje të situatës dhe problematikave të këtij fenomeni nën këndvështrimin e institucioneve respektive, shprehën gatishmërinë për t’u angazhuar në hartimin e strategjisë kombëtare kundër fenomenit të gjakmarrjes. Këshilli Koordinues për Luftën Kundër Gjakmarrjes do mblidhet në mënyrë sistematike për të ndjekur me vëmendje ecurinë e luftës ndaj gjakmarrjes, si një fenomen që duhet të pushojë së ekzistuari në një vend aspirant të integrimit euroatlantik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›