Shqipëria nënshkruan MSA-në me Bullgarinë dhe Rumaninë
Shqipëria nënshkruan marrëveshjen e protokolleve të MSA-së me Rumaninë dhe Bullgarinë. Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi dje se u nënshkruan në Bruksel Protokollet e MSA-së mes Bullgarisë, Rumanisë dhe Shqipërisë. Në emër të Bullgarisë dhe Rumanisë firmosi përfaqësuesi i presidencës franceze të Bashkimit Evropian. Ministria e Punëve të Jashtme e përshëndet aktin duke shprehur rëndësinë e madhe që ka ky nënshkrim në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Nga pala shqiptare nënshkrimi u krye nga ambasadorja e Shqipërisë në BE, Belgjikë dhe Luksemburg, znj. Mimoza Halimi, ndërsa nga presidenca e BE-së, z. Pierre SELLAL, ambasador i Francës në BE, si dhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i DG Enlargement në Komisionin Evropian, z. Jan Truszczynski. Ky nënshkrim vjen pas një progres-raporti objektiv dhe pozitiv nga BE-ja për zhvillimet dhe reformat që po bën Shqipëria. Nënshkrimi i protokolleve të MSA-së tregon edhe një herë se Shqipëria vazhdon të zhvillojë një marrëdhënie bashkëpunimi të gjithanshëm dhe të ngushtë me Bashkimin Evropian në rrugën e saj drejt integrimit të plotë në familjen evropiane. Ministria e Punëve të Jashtme gjen rastin të falënderojë presidencën franceze, Komisionin Evropian dhe vendet anëtare që morën pjesë sot në nënshkrim për kontributin e tyre në këtë proces.